Ekonomisti Pano Soko i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Refleksione” në ABC foli për globalizimin dhe largimet e shqiptarëve nga vendi.
“Revolucioni është themel i mashtrimit, i përfitimit të njëanshëm, i ngritjes së një kaste për të rrëzuar një kastë tjetër, i ëndrrave fallso, o realiteteve të shtirura. Unë besoj te demokracia, te ajo institucionale e cila beson te vullneti i mirë i njerëzve dhe unë besoj se njerëzit janë të mirë.
Revolucioni është nëna e dogmës, është babai i diktaturës. Praktikisht modelet që kanë serviruar revolucione në Shqipëri të gjitha kanë dështuar. Nuk kemi parë asnjë produkt të mirë nga revolucionet dhe nuk besoj se është rruga. Ç’ka po ndodh sot nëse do të më duhet ta definoja është një formë e re revolucioni. Është mërzitja e njerëzve të mirë nga mungesa e shpresës dhe ajo ndodh rëndomë sot, unë e shoh, të gjithë e shohim, por ndryshe nga koha e Fidel Kastros, revolucionet sot nuk kryhen në sheshe.
Revolucioni sot ndodh në aeroporte, në porte. Njerëz që marrin valixhet dhe ikin, njerëz që braktisin, njerëz që shkojnë aty ku është mirë, ku falë këtij globalizimi të informacionit e kuptojë që nuk ke pse lodhesh të ndërtosh një gjë që është keq, sot por ikin aty ku është mirë. Pse të rrish të merresh me Shqipërinë, ta ndërtosh atë? Ik në Gjermani, aty është mirë!
E pra kjo është forma e re e revolucionit. Është një formë e dëmshme por është e sinqertë.
Nëse ndodh, ndodh sepse kushtet e kanë kondicionuar për të ndodhur dhe ne përpara se të merrmi me produktin, pra me revolucionin, ikjen e njerëzve, me largimin e trurit duhet te merremi me shkaqet.
Unë besoj shumë që vullnetin për të zgjidhur në mënyrë të drejtë është i të gjithë shoqërisë. Vullneti për të bërë revolucione është i vetëm një kaste të caktuar, disa njerëzve të caktuar të cilët mundohen te shfrytëzojnë këtë momentin e zemërimit, momentin e pakënaqësisë, të mjerimit, varfërisë, vjedhjes për të përfituar ata vetë.
Historia na ka mësuar mjaftueshëm për të mos gabuar më në këtë drejtim por realiteti na solli një revolucion të ri, atë të njerëzve që braktisin.
A janë patriotë ata njerëz? Po, sigurisht që janë patriot!
A e duan këtë vend? E duan shumë!
Problemi është që kur vendi nuk iu ofron mundësitë dhe kur vendi nuk është ai të cilin ata do të donin, ata detyrohen të shikojnë metoda të reja jokonvencionale të sjelljes së shoqërisë, siç është braktisja, ikja. Mes revolucionit apo demokracisë do të zgjidhja gjithmonë demokracinë” tha ai./ Abcnews.al