Një incident i ri me protagonist një politikan, ka rindezur debatet mbi lirinë e armëve në Shtetet e Bashkuara. Në mediat lokale është publikuar një video, ku politikani nxjerr pistoletën dhe qëllon një hajdut, edhe pse ky i fundit ishte tërhequr dhe po tentonte arratinë.
Policia në Florida ka publikuar një video ku një politikan vendas qëllon dhe vret një hajdut në një distancë të afërt. Majkëll Dan, zyrtar i pushtetit vendor, shfaqet teksa përleshet me hajdutin 50-vjeçar në ambjentet e një dyqani. Pamjet tregojnë se pas përleshjes hajduti është përpjekur të largohet, por Dan me njërën dorë e mban atë nga krahu dhe me tjetrën nxjerr pistoletën dhe e qëllon. Hajduti, Kristobal Lopez, shihet teksa bie në tokë dhe askush nuk i shkon në ndihmë. Ngjarja e ndodhur më 3 tetor ka ndezur debate dhe polemika. Nga ana e tij politikani ka akuzuar hajdutin se është përpjekur të vjedhë një sëpatë dhe avokati i tij e ka quajtur të justifikuar përdorimin e armës. Sidoqoftë, departamenti i policisë në Lejklend dhe prokurorët po vijojnë hetimet. Në Florida, një personi i lejohet me ligj të përdorë armën nëse ka dyshime të arsyeshme se dikush përbën kërcënim ndaj jetës së tij. Por mediat lokale shkruajnë se kjo është hera e dytë që Majkëll Dan qëllon një person, edhe pse është hera e parë me pasoja fatale. Kur ishte 19 vjeç ai qëlloi një burrë dhe asokohe deklaroi se e kishte bërë pa dashje. /abcnews.al