Gazetari Enkeli Demi u shpall ditën e djeshme fitues për çmimin Europian të Letërsisë për Shqipërinë. I njohur ndryshe me emrin e artit Tom Kuka, ai mori çmimin e rëndësishëm letrar me romanin “Flama”, të cilin autori e shkroi gjatë periudhës së izolimit. Ky është çmimi i dytë i rëndësishëm për Enkel Demin, pas çmimit kombëtar të letërsisë në vitin 2018.
Duket se libri lidhet me pandeminë por frymëzimi i autorit lidhet me Tiranën e para 1 shekulli. Në një intervistë për Juli Xhokaxhiun në ABC, gazetari tregoi më shumë detaje nga romani. “Unë kam parë një qytet të zymtë, një qytet që vuan në një hall të madh dhe që duhet t’i shpëtojë kësaj të keqeje dhe metodat nuk janë vetëm mjekësore. Ne jemi një popull që ose vetëizolohemi ose na kanë izoluar dhe e kuptojmë mirë që është e vështirë të jetosh dhe pa lirinë e hapësirës por ndërkohë, jemi popull shumë i korruptuar.
Dhe korrupsioni para se të jetë financiar është moral dhe ne preferojmë që t’i japim rrugë të lirë krimit, të na udhëheqë sepse mundohemi t’i biem për shkurt. Dhe tek Flama ndodh pak a shumë kjo, mëkati ky është, nga i cili nuk shpëtojmë dot asnjë. Duhet një lloj ndërgjegjeje për të dalë nga ky mëkat. Shqipëria e sotme me atë që unë përshkruaj është si dy pika uji.”, u shpreh gazetari.
Përsa i përket personazheve, ai tha: “Një personazh është i shpikur dhe që më duket i pazakontë në të gjithë librin, Kunt Madhi që era i sjell lajme. Ky është personazh që në një farë mënyre jemi ne gazetarët modernë. Të tjerët janë burim i një kërkimi.”, the Enkeli.
Më tej, gazetari tha se ky çmim në fakt është një derë për autorët e vendeve të vogla për të prezantuar librat e tyre në gjuhë të ndryshme. Ai tha se ky libër pritet të publikohet në gjuhën italiane. “Ky është një lajm i gëzueshëm për letërsinë shqiptare dhe për të tjerët që morën pjesë në këtë ngjarje dhe ata që ishin në listën e ngushtë.
Ajo çka për ne ka shumë rëndësi ngaqë operojmë në gjuhë të vogla, këto janë ngjarje të rëndësishme për karrierën e një shkrimtari sepse tani ke mundësi të kontaktosh me shtëpi botuese nga vende të ndryshme. Ky libër e ka mundësinë më të madhe sesa librat e tjerë. Një derë që BE iu jep autorëve të këtyre vendeve për më tepër frymëmarrje dhe pjesëmarrje në letërsinë botërore. Por dhe për të shpërndarë vlera, për të njohur njëri-tjetrin.”, u shpreh gazetari. /abcnews.al