FOTO/ Vjosa Osmani nxjerr fotot nga samiti, ngre dolli me shampanjë me presidentin Meta

schedule17:55 - 18 Maj, 2021

schedule 17:55 - 18 Maj, 2021

Presidentja e Kosovës ka ndarë në rrjetet sociale disa foto nga takimet e zhvilluara në Slloveni në kuadër të samitit të procesit Brdo-Brijuni. Osmani është parë shumë afër presidentit Ilir Meta ndërsa dy presidentët kanë ngritur edhe dolli me shampanjë në prani edhe të një tjetër kreu shteti në rajonin e Ballkanit.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, Osmani shkruan se në samit ka pasur disa diskutime të frytshme në lidhje me të ardhmen e rajonit dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe ideja për ndryshimin e kufijve dhe ndikimin negativ në rajon të aktorëve të tjerë.

“Gjatë samitit të procesit Brdo-Brijuni përfaqësova qëndrimet e Republikës së Kosovës në raportet bilaterale dhe rajonale me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe pjesëmarrja jonë në nisma rajonale dhe ndërkombëtare bazohet çdoherë në trajtimin e barabartë me shtetet pjesëmarrëse.

Pata diskutime të frytshme bilaterale me Presidentin Millanoviq të Kroacisë, Presidentin Gjukanoviq të Malit të Zi, Presidentin Pendarovski të Maqedonisë së Veriut dhe Presidentin Meta të Shqipërisë.  Në këto takime theksuam që e ardhmja e rajonit është anëtarësimi në Bashkim Evropian dhe në NATO.

Po ashtu, dënuam idetë për ndryshim të kufijve në rajon dhe ndikimin negativ në rajon të akterëve të tjerë. Gjatë samitit dhe në takimet bilaterale ngrita çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Kjo pikë u përfshi në Konkluzat e samitit që u miratuan nga liderët pjesëmarrës.

Me mbështetjen e krerëve të shteteve të tjera pamundësuam përfshirjen e ideve të rrezikshme që vinin nga Serbia e që cënojnë interesat e Kosovës dhe vendosin bashkëpunimin rajonal jashtë binarëve të rregullave të BE-së. Zëri i Kosovës u dëgjua dhe interesat e saj u promovuan. Ne jemi gati sot dhe çdoherë për bashkëpunim me fqinjët tanë në promovimin e vlerave evropiane në rajon”, ka shkruar Osmani./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!