Talibanët nisin ofensivën në pritje të tërheqjes së ushtrisë amerikane

schedule21:49 - 12 Maj, 2021

schedule 21:49 - 12 Maj, 2021

Nga Salman Rafi Sheikh, Internazionale

Rezultati përfundimtar i Luftës në Afganistan, paralajmëron gjithnjë e më shumë një fitore të plotë për Talibanët, ndërsa dhuna në vend po përshkallëzohet pikërisht në kohën e tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane. Dhe shenjat që tregojnë këtë drejtim, janë të ngjyrosura me gjak.

Më 8 maj, një auto-bombë shpërtheu në Kabul duke vrarë më shumë se 60 njerëz dhe plagosur 147 të tjerë në një zonë të banuar nga Shiitët Hazara, një pakicë e shënjestruar shpesh nga grupime radikale sunite aleate me Talibanët, përfshirë ISIS.

Më 1 maj, ditën kur forcat e SHBA-së dhe NATO-s nisën tërhiqjen nga ky vend, Talibanët filluan një sulm vdekjeprurës ndaj një baze të madhe të ushtrisë afgane në provincën jugore Gazni. Të paktën 17 ushtarë humbën jetën, dhe dhjetëra të tjerë u zunë rob.

Në provincën e Helmandit, ku forcat amerikane i kishin kaluar ushtrisë afgane kontrollin e një baze vetëm një ditë më parë, një tjetër sulm i Talibanëve në Lashkar Gah,shkaktoi një betejë të përgjakshme që nxiti largimin nga shtëpitë e tyre të qindra familjeve.

Ministria afgane e Mbrojtjes, ka konfirmuar se forcat e sigurisë po i kundërpërgjigjen sulmeve Talibane në të paktën 6 provinca, përveç asaj të Helmandit. Përshkallëzimi i shpejtë i dhunës ngre pikëpyetje serioze në lidhje me besueshmërinë e procesit shumëkombësh të paqes, në të cilin një “trojkë e zgjeruar” – e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia bashkë me Pakistanin, Talibanët dhe qeveria kombëtare afgane – u takuan kohët e fundit në Doha, në Katar, për të njoftuar hartimin e një“harte rrugore” tëre për arritjen e paqes në vend.

Edhe pse trojka u ka bërë thirrje të gjitha palëve afgane që “të mbrojnë të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë gratë, burrat, fëmijët, viktimat e luftës dhe pakicat”, është e paqartë se çfarë kanë në mendje Talibanët dhe grupimet e tjera radikale islamike.

Ofensiva e re Talibane, sugjeron se organizata synon të fitojë terren në disa zona pas largimit të SHBA-së, duke e paraqitur praninë e saj si një fakt të kryer para mbërritjes atje të forcave kombëtare, fuqia e zjarrit e të cilave është dukshëm më e vogël.

Kjo përllogaritje, bazohet në besimin e Talibanëve se rezistenca në fushën e betejës i ka detyruar Shtetet e Bashkuara të negociojnë dhe të tërhiqen, ndaj nuk ka asnjë arsye për ta ndalur tani gjakderdhjen, në një kohë kur fitorja e plotë ushtarake dhe ideologjike është shumë afër.

2500-3.500 trupat e fundit amerikane do të largohen nga Afganistani brenda 11 Shtatorit, duke shënuar kësisoj fundin e një misioni 20-vjeçar. Por shumë afganë mendojnë se procesi i paqes,ka injoruar haptazi shqetësimet e tyre në lidhje me aspiratën e Talibanëve për të krijuar një emirat islamik, një sistem i bazuar tek Sheriati, i cili do të rrëzonte në mënyrë të pashmangshme disa reforma liberale të promovuara nga qeveritë laike që kanë pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Talibanët kanë premtuar se pas tërheqjes së SHBA-së nga vendi, ata do t’i respektojnë gratë, do të lejojnë arsimimin e tyre. Por roli i grave në shoqëri mbetet shumë i kufizuar sipas ligjit të Sheriatit që promovohet nga Talibanët. Shumë njerëz mendojnë se dështimi i Trojkës për t’iu përgjigjur këtyre frikërave, barazohet me një pranim de fakto të sundimit të Talibanëve mbi Afganistanin.

Shtimi i dhunës ditët e fundit, ka nxjerrë gjithashtu në pah disa mosmarrëveshje midis vendeve të përfshira në procesin e paqes. Pas sulmit ndaj studentëve të Kabulit, Ministria e jashtme e Kinës,tha se ishte “tronditur” dhe “pikëlluar shumë” nga sulmi, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i tërheqë trupat e saj “në një mënyrë të përgjegjshme”.

“Është e rëndësishme të theksohet se njoftimi i papritur nga SHBA për një tërheqje të plotë të forcave të saj nga Afganistani, ka sjellë një seri sulmesh të dhunshme në të gjithë vendin, duke e përkeqësuar situatën e sigurisë dhe kërcënuar paqen dhe stabilitetin, si dhe jetën e civileve atje”-tha të dielën zëdhënësi Hua Chunying.

Prej kohësh Kina ka frikë se paqëndrueshmëria më e madhe në Afganistan, mund të krijojë një hapësirë ​​të mëtejshme për fondamentalizmin islamik, i cili më pas mund të depërtojë në rajonin kinez (me shumicë myslimane) të Xinjiangut, ku Pekini po akuzohet aktualisht për persekutimin e pakicës ujgure myslimane.

Kina është përpjekur që t’i përfshijë Talibanët në nismën e saj të Rrugës së Mëndafshit. Por aktualisht është e paqartë se deri në çfarë mase organizata rebele është e përqendruar tek e ardhmja ekonomike e Afganistanit.

Shtetet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë të përfshirë në procesin e paqes, kanë lobuar për një armëpushim, por Talibanët u janë shmangur këtyre kërkesave, duke këmbëngulur për ta vazhduar xhihadin derisa të arrijnë qëllimet e tyre, përfshirë atë të dëbimit të trupave të SHBA-së dhe NATO nga Afganistani.

Dhe javën e kaluar, Talibanët e vunë në praktikë këtë qasje maksimaliste, brenda disa orësh që nga nisja e tërheqjes së trupave amerikane. Përveç sulmeve direkte, ekstremistët kanë filluar tashmë ngritjen e pikave të tyre të kontrollit në të gjitha autostradat kryesore që çojnë drejt kryeqytetit afgan, Kabul.

Shumë nga këto pika janë vendosur në vendet e kontrolluara më parë nga forcat afgane të sigurisë. Kontrolli gjithnjë e më i madh i autostradave, po u jep mundësi Talibanëve që të rrethojnë kryeqytetin Afganistan, të cilin organizata beson se është i pushtuar nga forca të huaja dhe “kukulla” të udhëhequra nga presidenti Ashraf Ghani, qeverinë e të cilit ata do të donin që ta neutralizonin.

Analistët besojnë se Talibanët po testojnë Shtetet e Bashkuara, për të parë nëse ata janë të gatshëm të përdorin fuqinë e tyre të zjarrit, siç bënë për të mbrojtur Kandaharin dhe Lashkar Gah vjeshtën e vitit 2020, përpara një sulmi të mundshëm ndaj qyteteve afgane gjatë muajve të ardhshëm.

Kjo ofensivë e re e Talibanëve mbart disa rreziqe ekonomike. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilat ofrojnë çdo vit qindra miliona dollarë ndihmë për qeverinë e Kabulit, mund t’i japin fund financimeve dhe ta shtyjnë vendin në një humnerë të papritur ekonomike, duke e ndërlikuar misionin e xhihadistëve për të imponuar një qeveri ekstremiste. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!