Dy persona të tjerë janë gjetur të pajetë, duke e çuar në 12 bilancin e viktimave të përmbytjeve në Majorka të Spanjës. Ekipet e shpëtimit kanë rekuperuar trupat e një burri dhe një gruaje në afërsi të qytetit Arta, në lindje të ishullit, ndërsa janë në kërkim të një fëmije që konsiderohet i humbur. Ndërkohë, operacioneve për pastrimin e rrugëve dhe shtëpive të ishullit iu bashkua të enjten edhe tenisti Rafael Nadal. Atleti është shfaqur pranë vullnetarëve të tjerë, ndërkohë që ka vënë në dispozicion edhe kompleksin e tij sportiv për personat e mbetur të pastrehë, që llogariten rreth 200. Një situatë e ngjashme paraqitet ndërkohë edhe në ishullin italian të Sardenjës, ku një grua e shpallur e humbur të mërkurën është gjetur e vdekur. 45-vjeçarja po udhëtonte me makinë bashkë me familjen e saj, kur papritur një lum doli nga shtrati duke përfshirë mjetin. Dy vajzat e gruas arritën të shpëtonin pasi njëra u kap pas një peme, ndërsa tjetra u strehua në një kasolle. Edhe bashkëshorti i viktimës u gjet në një strehë disa orë më vonë. Mësohet se vërshtimi i ujërave ka shkaktuar edhe shembjen e një ure të vogël. /abcnews.al