“Nuk e dija kush ishte”: Abcnews.al zbardh dëshminë e shqiptarit që mori bosin e kriptomonedhës turke nga Rinasi

schedule14:01 - 10 Maj, 2021

schedule 14:01 - 10 Maj, 2021

Abcnews.al ka zbuluar detaje të tjera nga operacioni për arrestimin bosit të kriptomonedhës turke Faruk Fatih Ozer në Shqipëri. I shumë kërkuari u arratis nga Turqia duke ardhur në Tiranë më datë 18 prill, ndërsa u shpall në kërkim ndërkombëtar disa orë më vonë.

Mediat turke kanë raportuar vazhdimisht në lidhje me ecurinë e kërkimeve për kapjen e tij si edhe në lidhje me personat që dyshohet se e kanë ndihmuar në Shqipëri. “Hurriyet” raportoi në mëngjes se policia shqiptare kishte arrestuar Altjan Canajn dhe Edevaldo Haxhiajn me akuzën e dhënies së ndihmës ndaj të arratisurit turk.

Ndërkohë, gazetarja Xhensila Kodra raporton për abcnews.al se Canaj vetëm është shoqëruar ku edhe i është marrë dëshmia duke u lënë më pas i lirë. Siç mëson abcnews.al, Canaj është shprehur para policëve se nuk e dinte fare se kush ishte Faruk Fatih Ozer dhe qëllimin e ardhjes së tij në Shqipëri.

Ai tregon se është telefonuar nga miku i tij Edevaldo Haxhiaj, i cili i ka kërkuar që të shkonte të merrte turkun në aeroport pasi ai vetë nuk mund të lëvizte në atë moment.

Canaj tregon se ka shkuar për të marrë turkun dhe eka dërguar në një hotel në Tiranë duke e ndihmuar edhe në bërjen e “check in-it”, siç duket edhe nga kamerat e sigurisë duke mos u takuar më me të.

Lexo edhe: EMRAT/ Kush janë dy shqiptarët që ndihmuan bosin e kriptomonedhës turke të fshihej në Tiranë

Ai vijon duke thënë se më pas ka zbuluar përmes mediave se për çfarë akuzohej Faruk Fatih Ozer, të cilin e kishte marrë më herët nga Rinasi për ta dërguar në një hotel në Tiranë.

Faruk Fatih Ozer u arratis nga Turqia duke ardhur në Shqipëri në 18 prill duke mbyllur gjithashtu shërbimet e kompanisë së tij “Thodex”, në të cilën kishin investuar më shumë se 350 mijë persona, pjesa më e madhe e tyre, turq. Mendohet se dëmi i shkaktuar ndaj tyre është 2 miliard dollar, ndërsa një pjesë të parave ai i mban me vete në një server të posaçëm në formë kriptomonedhash.

Autoritetet turke në anën tjetër kanë vazhduar operacionet intensive për kapjen e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex”që dyshohet se fshihet prej dy javësh në Shqipëri bashkë me një server, brenda të cilit mbahen 108 milion dollarë në kriptomonedha. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!