By Jenny Hill, BBC
Emri i saj nuk është shumë i njohur jashtë territoreve të Gjermanisë, por Sophie Scholl është një figurë ikonike në vendin e saj të lindjes dhe historia e saj është e jashtëzakonshme. Këtë fundjavë shumë do të përkujtojnë 100 vjetorin e lindjes së një vajze të re e cila sfidoi Adolf Hitlerin dhe çmimin e pagoi me jetën e saj. Për trimërinë dhe rezistencën e saj flitet në shumë libra, filma dhe drama. Dhe sot ajo vazhdon ende të frymëzojë njerëzit.
Sophie Scholl lindi në vitin 1921 në një vend në trazira. Por fëmijëria e saj ishte e sigurt dhe ajo bënte një jetë normale. Babai i saj ishte kryetari i qytetit jug-perëndimor të Forchtenburgut (megjithëse familja më vonë do të transferohej në Ulm) dhe Sophie, së bashku me pesë vëllezërit dhe motrat e saj, u rritën në një familje luteriane në të cilën vlerat e krishtera kishin rëndësi.
Por në kohën kur ajo ishte adoleshente, Adolf Hitler po drejtonte vendin.
Në fillim Sophie dhe vëllai i saj i madh Hans mbështetën Partinë Naziste. Si shumë të rinj të tjerë, ai u bashkua me lëvizjen e Partisë Rinia të Hitlerit ndërsa ajo me organizatën tjetër, të Vajzave Gjermane.
Babai i saj, një kritik i Hitlerit, ishte tmerruar nga entuziazmi i tyre. Dhe ndikimi i familjes dhe miqve gradualisht filloi të ndikonte te ata. Vëllezërit dhe motrat, në fund të fundit të paaftë për të bindur të tjerët për prirjet e tyre liberale me politikën e Rajhut të Tretë dhe duke vënë re mënyrën në të cilën u njohën artistët hebrenj, filluan ta shohin regjimin përmes syve gjithnjë e më kritikë.
Në kohën kur Hitleri pushtoi Poloninë dhe të rinjtë gjermanë u dërguan për të luftuar, Sophie i shkruajti të dashurit të saj Fritz Hartnagel, i cili ishte gjithashtu një ushtar:
“Unë nuk arrij të kuptoj se si disa njerëz vazhdimisht rrezikojnë jetën e të tjerëve. Unë kurrë nuk do ta kuptoj atë dhe vetëm mendoj se sa e tmerrshme është. Mos më thuaj se çdo gjë behët për Atdheun “.
Sophie studioi në të njëjtin universitet ku studionte edhe vëllai i saj në Mynih, për mjekësi. Sophie, thuhet se i pëlqente të kërcente dhe të luante në piano, dhe ajo ishte një piktore e talentuar. Por këto ishin kohë të vështira për të zhvilluar pasionin e saj. Disa prej studentëve po jetonin në një diktaturë dhe ishin të vendosur se do t’i rezistonin.
Ata ishin të vendosur mos të heshtnin
Kishte vetëm gjashtë anëtarë të grupit “Trëndafili i Bardhë”, fillimisht i themeluar nga vëllai i Sophie Hans Scholl dhe shoku i tij Alexander Schmorell. Ata u bashkuan me Sophie, Christoph Probst dhe Willi Graf dhe një nga profesorët e tyre, Kurt Huber.
Të mbështetur nga një rrjet miqsh, ata shpërndanë broshura, duke inkurajuar qytetarët që t’i rezistojnë regjimit nazist, duke denoncuar vrasjen e hebrenjve dhe duke kërkuar përfundimin e luftës.
“Ne nuk do të heshtim”, lexonte në një broshurë, “ne jemi ndërgjegjja juaj, Trëndafili i Bardhë nuk do t’ju lërë kurrë të jetoni në paqe”.
Grupi prodhoi broshurën e tyre të gjashtë në fillim të vitit 1943.
Më 18 shkurt 1943 Hans dhe Sophie po shpërndanin broshurat në universitet. Nuk është e qartë pse Sophie u ngjit në katin e sipërm të universitetit dhe hodhi një tufë broshurash. Shumica supozojnë se ajo dëshironte që sa më shumë studentë t’i shihnin. Por, ndërsa broshurat rrëzoheshin për tokë, një nga kujdestarët e pa dhe e raportoi në Gestapo – policia sekrete.
Ajo dhe vëllai i saj u morën në pyetje dhe, pas një gjyqi u dënuan me vdekje. Ata nuk pranuan të tradhtonin pjesën tjetër të grupit por autoritetet i gjurmuan gjithsesi. Brenda pak muajsh miqtë e tyre u ekzekutuan gjithashtu.
Në mëngjes, kur ajo shkoi në gijotinë, Sophie, 21 vjeç, tha:
“Një ditë kaq e bukur, me diell, dhe unë duhet të largohem… Çfarë rëndësie ka vdekja ime, nëse përmes nesh, mijëra njerëz do të zgjohen dhe do të nxiten të veprojnë?”
Këto fjalë, trimëria e saj, nderohen edhe sot në Gjermani, ku shkollat dhe rrugët mbajnë emrin e saj dhe të vëllait. Por gjithashtu emri dhe figura e saj shfrytëzohen lehtësisht. Disa vite më parë, partia e ekstremit të djathtë AfD lëshoi një parullë “Sophie Scholl do të kishte votuar AfD”. Në një tubim kundër masave Covid në Hanover nëntorin e kaluar, një grua e krahasoi veten me Sophie Scholl.
Por, në atë ditë që do të kishte qenë ditëlindja e saj e 100-të, Gjermania po lëshon një monedhë përkujtimore, gjithashtu do të ketë shërbime të dedikuara kishtare dhe një website të ri në Instagram kushtuar jetës së saj.
Shumica do të reflektojnë në heshtje për jetën e një vajze të re, guximi dhe bindja e së cilës ende trazojnë zemrat dhe mendjet sot. Përktheu Sonila Backa-abcnews.al