Mjekja në “Spitalin Amerikan”: Shenjat e para të helmimit nga kërpudhat, orët që rezultojnë fatale

schedule08:59 - 10 Maj, 2021

schedule 08:59 - 10 Maj, 2021

Tre pjesëtarë të familjes Haliti nga Gjilani ndërruan jetë si pasojë e helmimit nga kërpudhat në Shqipëri. Nëna, djali dhe nusja e tij dyshohet se u helmuan nga kërpudhat që kishin mbledhur gjatë qëndrimit në shtëpinë e tyre në Gjirin e Lalzit. Këtë të hënë në “Abc-ja e mëngjesit”, mjekja toksikologe në Spitalin Amerikan, Sonila Bitri foli për rriskun që paraqet ngrënia e kërpudhave helmuese.

Mjekja shpjegoi se shpesh pacientët e anashkalojnë rrezikun e lartë që paraqesin toksinat në kërpudha, por prekja e organeve të brendshme mund të rezultojë fatale. “Helmet nga toksinat janë përgjegjëse për shenjat klinike që dhe kjo familje ka patur. Shenjat gastrointensinale, të vjellat dhe të përziera të cilat janë shenja që zakonisht jep dhe një intoksim ushqimor i zakonshëm, konsumojmë një ushqim të ndenjur dhe shenjat klinike janë të ngjashme me shenjat e helmimit nga kërpudhat.

Të përzierat, të vjellat, pak dhimbje koke apo dhe temperaturë janë shenjat e para që kanë pacientët me toksikim nga kërpudhat. Dhe jo gjithmonë e çojnë pacientin në urgjencë dhe ky është problemi pse ndodhin dhe fatalitetet. Neglizhohet nga individët dhe në informacionin që i japin mjekut kur shkojnë në qendra shëndetësore.”, tha mjekja.

Duke u ndalur nga trajtimi ndaj helmimit nga kërpudhat, doktoresha vuri theksin tek trajtimi me vitaminoterapi, perfuzionet me preparate mbrojtëse të mëlçisë dhe veshkave dhe deri në tranfuzione apo karboni aktiv, që shërben për të nxitur eliminimin e toksinave nga trupi. Por përtej terapive specifike, ajo tha se kur ndodh dëmtimi qelizor është e vështirë të gjendet një trajtim specifik.

“Zgjat disa ditë, shenjat e para është faza gastrointesinale, në të dytën ndodh një përmirësim i lehtë, individi ndihet më mirë. Në 24 orëshin e dytë pacienti ndihet më mirë dhe në fazën e tretë fillojnë komplikacionet serioze që prekin mëlçinë dhe veshkat. Ndodh dëmtimi qelizor, disa kërpudha dëmtojnë ADN dhe ARN, gjithë aktivitetin bazë të qelizës dhe trajtimet specifike nuk është se e kthejnë pas dëmtimin që ka nisur.”, tha mjekja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!