Ngjarja e rëndë e pak ditëve më parë në Shkodër, ku 10 vjeçari Nasir Ymeri u gjet i varur nga familjarët ka tronditur mbarë opinionin publik. I riu kishte qenë duke realizuar një video për TikTok por fatkeqësisht ka rezultuar fatale. Mëngjesin e sotëm në “Abc-ja e mëngjesit” u diskutua ndikimi që ka ky rrjet social tek të rinjtë.
Në një lidhje me Skype, eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj tha se është e nevojshme monitorimi i fëmijëve dhe për këtë ekzistojnë disa aplikacione që mund t’ju vijnë në ndihmë prindërve. “Sot po flasim për sfidat në TikTok por para disa vitesh kishim Balenën Blu dhe kishim humbje të jetëve të disa fëmijëve dhe adoleshentë dhe një pjesë e videove me këto sfida janë dhe në Instagram.“, tha ai.
Më tej, ai apeloi për përfshirjen e edukatës dixhitale në kurrikulën shkollore. “Këshilla kryesore është për prindërit dhe për mësuesit. Ka ardhur momenti ku pjesë e kurrikulave duhet të jetë edukata dixhitale. Edukimi dixhital është bërë më i zhvilluar por ky është realiteti, duhet të kemi sistemin arsimor që të edukojë fëmijët por deri diku dhe prindërit.”, tha ai. /abcnews.al