Frikë në Gjirokastër, burri i del para policisë me granatë në dorë

schedule10:12 - 8 Maj, 2021

schedule 10:12 - 8 Maj, 2021

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, ku një 51-vjeçar kërcënoi me granatë dore punonjësit e policisë teksa këta të fundit kishin shkuar për kontroll në banesën e tij.

Policia kishte shkuar në banesën e tij pas informacioneve se aty fshiheshin armë, por 51-vjeçari nuk i ka lejuar të futen duke dalë me një granatë në dorë ndërkohë që kërcenonte se do t’ua hidhte. Pas disa minutash policia ka bërë neutralizimin e 51-vjeçarit duke kryer më pas kontrollin në shtëpinë e tij.

Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur një automatik dhe disa fishekë, krahas granatës së dorës.

Njoftimi i policisë

Kërcënoi me granatë në dorë, punonjësit e Policisë, me qëllim moslejimin e kontrollit të banesës dhe më pas tentoi të largohej, por falë ndërhyrjes profesionale, shërbimet e Policisë gjatë ndjekjes neutralizuan dhe prangosën 51-vjeçarin.

51-vjeçari i dënuar më parë për vrasje dhe kontrabandë.

Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe një armë zjarri kallashnikov me një krehër me fishekë luftarakë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Forcat “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore se një shtetas, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, dispononte armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën për të ushtruar kontroll në banesën e shtetasit të dyshuar.

Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar pranë banesës së tij, shtetasi A. I. ka marrë një granatë difensive me vete dhe ka tentuar të largohet duke kërcënuar punonjësit e Policisë që të mos e ndiqnin, pasi do t’i qëllonte.

Shërbimet e Policisë, nisur nga rrezikshmëria që paraqiste ky person, kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe falë veprimeve dhe ndërhyrjes profesionale kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e këtij shtetasi, i cili mbante me vete një granatë difensive të montuar me ndezës universal.

Gjithashtu, si rezultat i kontrollit të banesës, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, një krehër dhe 19 fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!