Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar pas dëmtimit të përmendores së dëshmorit Fatmir Ibishi në Konçul dhe vendosjes së flamurit serb mbi të.
Kamberi në reagimin e tij ka thënë se ky është një akt që rrezikon paqen dhe stabilitetin, dhe provokon banorët shqiptar të Konçulit.
Deputeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se është krejtësisht i pakuptimtë dhe i papranueshëm qëllimi që të tensionohet situata dhe të nxiten incidente me provokime të këtij lloji.
“Gjykoj ashpër provokimin e paprecedent të dëmtimit të përmendores së dëshmorit Fatmir Ibishi dhe vendosjen e flamurit serb mbi të. Ky akt rrezikon paqën dhe stabilitetin, provokon banorët shqiptarë të fshatit Konçul dhe Komunës së Bujanocit dhe nxitë situata të padëshirueshme për të gjithë.Ftoj organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e këtij rasti dhe parandalimin e provokimeve të tjera eventuale”, shkruan ai.
Ndryshe, flamuri serb është vendosur sot nga persona të paidentifikuar në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit, në afërsi të përmendores së dëshmorit të parë të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi.
Përmes një videoje në Facebook, i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Bujanocit, Shqiprim Musliu, i cili edhe e ka larguar flamurin serb nga aty dhe ka vendosur flamurin shqiptar. /abcnews.al