Trump-Putin, samiti i ri verën e ardhshme?

schedule08:10 - 11 Tetor, 2018

schedule 08:10 - 11 Tetor, 2018

Presidentët Trump dhe Putin mund të takohen sërish pranëverën e ardhshme dhe sërish do të zgjedhin Helsinkin si bazë për bisedimet kokë më kokë. Sidoqoftë, mediat finlandeze që bëjnë të ditur lajmin nënvizojnë se ende nuk ka një konfirmim.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu rus Vladimir Putin mund të takohen sërish verën e ardhshme në Helsinki. Lajmin e bën të ditur një e përditshme finlandeze në edicionin e saj online, që citon burime të rezervuara. Sipas burimit mediatik, autoritetet e të dy vendeve kanë nisur bisedimet për zgjedhjen e datave për takimin. Presidenti finlandez Sauli Ninisto ka refuzuar të bëjë komente sa u takon shanseve të takimit, por ka thënë se interesi amerikan është rritur.

“Gjërat kanë ecur në drejtimin e duhur”, ka thënë ai. Dy presidentët u takuan në Helsinki korrikun e kaluar, një takim që shënoi zhvillime pozitive mes dy liderëve, por që u pasua me sanksionet e shumta që administrata Trump vendosi ndaj Rusisë. Masat ndëshkuese të Uashingtonit kanë të bëjnë me agresionet kibernetike ruse në Shtetet e Bashkuara, ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale, manovrat e saj ushtarake dhe shkelja e embargos duke furnizuar me armatime Korenë e Veriut.

Vetë presidenti Trump e ka quajtur hetimin mbi çështjen “Rasha Gejt” një gjueti shtrigash, por sërish është detyruar të firmosë sanksionet e kërkuara nga Kongresi. Nga ana tjetër, presidenti Putin ka deklaruar se sanksionet janë një absurditet i palës amerikane, por ka theksuar se ato nuk do të funksionojnë dhe ka ftuar Shtëpinë e Bardhë për bashkëpunim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!