Avokati mbrojtës i ish-oficerit të policisë së Mineapolisit, i shpallur fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd ka kërkuar një gjyq të ri, duke thënë se gjykata abuzoi me informacionet e saj në disa pika dhe se vendimi për shpalljen fajtor duhet të hiqet për shkak të sjelljes së papërshtatshme të jurisë, thuhet në një dokument gjykate të dorëzuar të martën.
Ish-polici, Derek Chauvin, u shpall fajtor muajin e kaluar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj të vitit të kaluar. Provat në gjyq treguan se Chauvin mbajti gjurin në qafën e Floydit për 9 minuta e gjysmë ndërsa afrikano-amerikani po thoshte se nuk mund të merrte frymë dhe më vonë nuk po lëvizte.
Avokati i mbrojtjes Eric Nelson përmendi shumë arsye në kërkesën e tij për një gjykim të ri. Ai tha se gjyqtari Peter Cahill abuzoi me informacionet e gjykatës dhe shkeli të drejtën e oficerit Chauvin për proces të rregullt dhe një gjykim të drejtë kur ai mohoi kërkesën e zotit Nelson për të zhvendosur gjyqin në një qark tjetër për shkak të publicitetit paraprak.
Ai gjithashtu tha se gjykatësi Cahill abuzoi kur ai mohoi një kërkesë të mëparshme për një gjykim të ri për shkak të publicitetit gjatë procedurave, që avokati Nelson tha se kërcënonte drejtësinë e gjyqit.
Avokati Nelson gjithashtu ngriti çështjen e refuzimit nga gjykatësi Cahill për të sekuestruar jurinë për gjyqin ose për t’i paralajmëruar ata që të shmangin të gjitha mediat, dhe për refuzimin e tij për të lejuar një burrë që ishte me George Floydin në kohën e arrestimit të tij për të dëshmuar në gjyq.
Nelson i kërkoi gjykatësit të tërheqë vendimin me arsyetimin se juria u soll në mënyrë të papërshtatshme, u ndje nën presion dhe / ose nuk arriti t’i respektonte udhëzimet e jurisë, megjithëse nuk përfshiu detaje rreth këtij pohimi. Kërkesa për tërheqje të një vendimi nënkupton ngritje të dyshimeve për vlefshmërinë e tij.
Dokumenti nuk përmendte raportet e fundit se një nga anëtarët e jurisë mori pjesë në një marshim të 28 gushtit në Uashington, për të nderuar ikonën e të drejtave civile, Martin Luther King Jr.
Ai anëtar i jurisë, Brandon Mitchell, ka mbrojtur veprimet e tij, duke thënë se ngjarja ishte për të përkujtuar Marshimin e vitin 1963 në Uashington dhe nuk ishte një protestë kundër vdekjes në duart e policisë të afrikano-amerikanit George Floyd. Vëllai dhe motra e Floydit, Philonise dhe Bridgett Floyd dhe të afërmit e të tjerëve që ishin qëlluar nga policia, mbajtën fjalime në marshimin e verës së kaluar.
Nelson nuk iu përgjigj menjëherë një mesazhi për më shumë hollësi mbi pretendimet e tij për sjellje të gabuar të anëtarëve të jurisë./VOA/