3 qendra votimi mbajnë peng mbylljen e numërimit, kush janë 5 kandidatët më të votuar

schedule11:19 - 30 Prill, 2021

schedule 11:19 - 30 Prill, 2021

Tre kutitë e fundit në tre qarqet po mbajnë dhe peng mbylljen përfundimisht të procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputet për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas të dhënave të KQZ në kryeqytet ka mbetur vetëm një kuti pa mbyllur nga 1243 qendra votimi, në Elbasan janë dy kutitë e fundit që akoma nuk janë përfunduar nga 511 qendra votimi që ka në këtë qark, dhe Vlora gjithashtu është një tjetër qark që ka një kuti pa mbyllur nga 445 qendra votimi.

Nga të dhënat e KQZ-së kryeqyteti dhe Elbasani ishin dhe dy qarqe që sollën surpriza sa u përket listave të kandidatëve fitues, ku dre kandidatë kanë thyer herësin duke marrë mandatin për deputet nga kandidatët e listës fituese që kishin më pak vota.

Në Tiranë ish ministri Fatmir Xhafaj me 16738 vota dhe Ornaldo Rakipi me 15697 vota arritën të merrnin mandatin edhe pse ishin në listën ‘jo fituese’ të socialistëve, duke lënë jashtë listës Ervin Bushatin dhe Fidel Yllin, ndërsa në Elbasan Luciano Boçi ka arritur që të marrë mandatin duke lënë jashtë Eugen Isaj.

Gjithashtu për shkak të renditjes në listën fituese dhe që nuk arritën të thyejnë herësin, kanë humbur mandatin ministri për Diasporën Pandeli Majko dhe deputetja Mimi Kodheli.

Ndërkohë kandidatët më të votuar në rang vendi janë Taulant Balla në qarkun e Elbasanit që kryeson listën si më i votuari me mbi 21 mijë vota, i ndjekur nga ish ministri Fatmir Xhafaj me 16 738 vota dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha renditet i treti në vend si më i votuari në zgjedhjet e 25 prillit me 16 186 vota.

  1. Taulant Balla PS               21604 vota
  2. Fatmir Xhafaj PS              16738 vota
  3. Lulzim Basha PD              16186 vota
  4. Edi Rama PS                     15871 vota
  5. Ornaldo Rakipi PS            15697 vota . e.su./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!