Askush nuk e di nëse Mumtaz Shaikh do të mbijetojë. Ai është 48 vjeç, pra nuk ka moshën tipike të dikujt që mund të vdesë nga Covid-19. Por aktualisht virusi SARS-CoV-2 po përhapet në mënyrë të shfrenuar si kurrë më parë që nga nisja e pandemisë, përfshirë mega-qytetin e Bombeit.
Shitësi i rrobave, është ndër të shumtët që janë infektuar nga koronavirusi. Shaikh është një nga mijëra pacientë e sëmurë me Covid-19 në mbarë Indinë, jeta e të cilëve është në rrezik. Për ta është gati e pamundur të marrin ndihmën e duhur mjekësore, pasi SARS-CoV-2 e ka goditur vendin me një forcë të atillë sa që sistemi i kujdesit shëndetësor i pa financuar si duhet është në prag të kolapsit, shkruan “Der Spiegel”.
Kur Shaikh u shtrua një javë më parë për shkak të shqetësimeve me frymëmarrjen, spitalit i kishte mbaruar oksigjeni për t`i vendosur atij një ventilator. Vetëm 3 ditë më parë, 11 njerëz vdiqën në një tjetër zonë periferike të Bombeit, thuhet se mjekët nuk mund t’i mbanin më në ventilatorë për shkak të mungesës së oksigjenit.
Pa oksigjen Shaik nuk do të kishte asnjë shans. Gruaja dhe një kushëriri i tij nisën kërkimet për ta gjetur. Në fund, ata gjetën atë që kërkonin në tregun e zi me dyfishin e çmimit normal. Por ka kaluar një javë dhe Mumtaz Shaikh nuk është mirë. Madje gjendja e tij është përkeqësuar.
Ndërkohë, të enjten e shkuar India raportoi një rekord botëror rastesh ditore 315.000. Një nivel ky që Shtetet e Bashkuara nuk e arritën as në kulmin e pandemisë më janar 2021. Brenda 24 orëve, më shumë se 2.100 njerëz vdiqën nga Covid-19.
Në Nju Delhi, gjykata e kritikoi qeverinë për mungesën e oksigjenit. Por në spitale ka gjithashtu mungesë të ventilatorëve dhe shtretërve spitalorë. Njerëz të sëmurë dhe të afërmit e tyre janë rreshtuar në radhë përpara spitaleve dhe farmacive. Krematoriumet po punojnë me turne shtesë për të përballuar kërkesën.
Dhe kurba e infeksioneve të reja në Indi vazhdon që të rritet me shpejtësi, me 1.6 milion raste të reja vetëm gjatë javës së kaluar. Dhe vështirë se mund të shihet për momentin dritë në fund të tunelit në një vend ku vetëm 1.3 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht. Kryeministri indian Narendra Modi, që ka shkaktuar zemërimin e shumë indianëve për shkak të nënvlerësimit që i ka bërë pandemisë, dhe për mosparashikimin e katastrofës së ardhshme, deklaroi javën e kaluar se vendi i tij ishte “goditur nga një stuhi e Covid-19”.
“NëIndi nuk ka mbetur më askush që nuk njeh dikë që është i infektuar me Covid-19, disa shumë rëndë”-thotë Gautam Menon, profesor i biologjisë dhe fizikës në Universitetin Ashoka në Sonipat, që ndodhet pranë kryeqytetit Nju Delhi.
“Parashikimet tona për javët e ardhshme sugjerojnë se rastet do të vazhdojnë të shtohen. Situata mund të fillojë të përmirësohet vetëm nga mesi deri në fund të majit. Se cila do të jetë gjendja e vendit tonë atëherë, kjo mundet vetëm të hamendësohet”- thekson ai.
Ajo që i ka tmerruar indianët – dhe botën mbarë – është një mutacion i virusit origjinal që po përhapet me shpejtësi. Emri i tij shkencor është B.1.617. Virusi i ri është zbuluar tashmë edhe në në Gjermani, ku 21 persona kanë rezultuar të prekur me këtë variant.
Ndërkohë, në Britani numri i njerëzve të infektuar me variantin B.1.617 u rrit nga 77 në 132 brenda një jave. Ai është bërë potencialisht i rrezikshëm për shkak të përzierjes së tij me dy mutacione
të tjera, edhe pse është ende e paqartë nëse ndikojnë dhe saktësisht si ndikojnë ato në procesin e infektimit.
Dy ndryshimet gjenetike, E484Q dhe L452R, mund ta bëjnë më të lehtë depërtimin e virusit në organizimin e njeriut. Dhe kjo e bën patogjenin më infektiv. Këto variante të kombinuara mund t’i japin mundësi virusit që të shpëtojë pjesërisht nga mbrojtja imunitare e njerëzve. Alex Sigal, që drejton një degë të Institutit gjerman Maks Plank për Biologjinë e Infeksionit në Durban të Afrikës së Jugut, beson se të dyja mutacionet “janë duke bashkëpunuar” për të rritur gjasat e shmangies së mbrojtjes imunitare të njerëzve.
Ai i referohet antitrupave që formon trupi kur njerëzit janë të infektuar me SARS-CoV-2. Por skenari më i frikshëm është një tjetër:që varianti B.1.617 t’i shpëtojë imunitetit të krijuar nga vaksinat në trupat e njerëzve të vaksinuar. Nëse do të ndodhte kjo gjë, do të kishim të bënim me një pandemi të re, dhe do të ishim të detyruar t’ia nisnim prapë nga fillimi.
Mjerisht,ky është një skenar i parashikuar nga eksperti britanik i epidemive Jeremy Farrar në një intervistë për“Der Spigel”në fund të vitit të kaluar. Ai tha në atë kohë se ishte “e pashmangshme përhapja e varianteve të reja, dhe ato së shpejti do të bëhen dominante në të gjithë botën”.
Farrar, që është drejtori i “Wellcome Trust”, një nga fondacionet më të mëdha në botë që financon kërkimet në fushën e mjekësisë, druhet se virusi do të vazhdojë të pësojë mutacione.
Sipas tij, mënyra e vetme për ta parandaluar këtë, është të frenohet përhapja e virusit, dhe të ndërtohet imuniteti në të gjithë botën përmes vaksinimit.
Por në Indi ashtu si në Brazil, politikanët dhe zyrtarët kanë shkelur një rregull të hekurt të menaxhimit të pandemisë:“Godit fort dhe herët!”, për ta frenuar përhapjen e patogjenit.
Mbetet ende e paqartë në çfarë mase varianti B.1.617 po nxit valën aktuale goditëse të pandemisë në Indi, pasi ky vend nuk po sekuencon mjaftueshëm mostra virale.
Në çdo rast, virologët e dinë vetëm teorikisht se cili është efekti i një mutacioni, si nga ana biologjike, po ashtu edhe nga mënyra e infektimit. Farrar thotë se sa herë që shfaqet një mutacion i ri, ai ka potencialin ta ndryshojë globalisht situatën brenda disa javëve. “Variantet e reja po e ndryshojnë rrjedhën e pandemisë”- thekson ai. Në Gjermani, masat që 6 muaj më parë e ulën me sukses numrin e rasteve të reja,tani nuk po frenojnë dot si duhet variantin britanik të virusit, B.1.1.7.
Jeremy Farrar thotë se mund të ketë “vetëm një shans të vogël, ndoshta më pak se 10 për qind”, që të shfaqet një variant i tmerrshëm si ai që mund të na kthente në pikën zero. “Por 10 për qind është gjithsesi një rrezik shumë i madh.
Ne mund ta zvogëlojmë atë në 1 për qind ose më pak nëse frenojmë infeksionet e reja dhe krijojmë një imunitet në të gjithë botën”- thotë Farrar. Pra mesazhi i tij është sa i qartë aq edhe i thjeshtë:Bllokime për të zvogëluar transmetimin, dhe fushata të pa ndërprera të vaksinimit./ Nga Alket Goce për abcnews.al.
Marrë me shkurtime