“Pse nuk e uroj Vangjush Dakon”, Xhaferaj: Më 25 prill nuk kishim zgjedhje, por votime

schedule20:59 - 29 Prill, 2021

schedule 20:59 - 29 Prill, 2021

Kreu i degës së Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, ka folur për mediat pak para mbylljes së procesit të numërimit të votave për kandidatët në këtë qark.

Xhaferaj është shprehur se më 25 prill kishim thjeshtë një votim dhe jo një proces zgjedhje.

“Unë mendoj që dhe vëzhguesit e huaj dhe qytetarët e panë që nuk kishim zgjedhje por kishim votime” tha Xhaferja.

Ndër të tjera i pyetur nëse do i njohë zgjedhjet dhe nëse do i uronte kundërshtarët politik , Xhaferaj është shprehur se në një demokraci të ndershme do e uronte kundërshtarin por sipas tij në Durrës zgjedhjet u bënë përballë me krimin.

“Në demokraci, nëse zgjedhjet do të ishin të lira e të ndershme në mënyrë të padiskutueshme do ta uroja kundërshtarin, por qytetarët e Durrësit panë që në këto zgjedhje ne u përballëm me krimin, shtetin dhe pushtetin. Koordinatori, kumbara e gjithë këtyre është kryetari de facto i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Dhe Vangjush Dako është një person që nuk lejohet të shkojë në SHBA, ai dhe trungu i tij familjar për korrupsion të lartë zgjedhor. Unë jam një politikan që jam shkolluar në SHBA, kam bërë një shkollim të shkëlqyer aty dhe të urosh Vangjush Dakon do të thotë t’i kundërvihesh Amerikës. Nuk kam ndërmend në karrierën time politike t’i kundërvihem Amerikës”,– tha Xhaferaj.

Kujtojmë se mes Xhaferajt dhe Dakos kishte edhe një përplasje verbale. Shkak i saj ishin provokimet e vazhdueshme të ish-kreu të bashkisë së Durrësit. E.L/abcnews.al/