Disa orë pasi Gjykata për Krime të Rënda miratoi kërkesën “arrest me burg” për Albert Veliun ose i njohur ndryshe si “Babalja” ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Sipas Salianjit, Edi Rama vendosi që ditën e parë që audiopërgjimi ka qenë fals dhe në të njëjtën linjë ka qenë dhe vendimi i prokurorisë. Salianji gjatë deklaratës së tij tha se kryeministri arreston denoncuesit dhe jo kriminelët sa herë që kapet në krim.
“Që ditën e parë, Edi Rama foli për audio-përgjim të sajuar dhe prokuroria kështu vendosi. Që ditën e parë Edi Rama shpalli se në vend të Agron Xhafajt ishte një aktor dhe prokuroria kështu vendosi. Që ditën e parë, Edi Rama shpalli të pafajshëm Agron Xhafën nga akuza për trafik droge dhe prokuroria kështu vendosi. Është e vërtetuar se sa herë kapet në krim Edi Rama arreston denoncuesit dhe jo kriminelët, duke përdorur çdo shantazh në favor të skenarit të tij kriminal. Deklarimi i pafajshëm i vëllait të ministrit të Brendshëm ka qenë qëllimi kryesor i prokurorisë i paracaktuar që nga dita e publikimit të skandalit nga ana e PD-së. Me urdhër të Edi Ramës, hetimi u drejtua personalisht nga vetë Fatmir Xhafaj nën kontrollin e të cilit është si prokurorja e Përgjithshme ashtu dhe prokurorja e Krimeve të Rënda”, deklaroi Salianji.
Prokurorët e çështjes kërkuan arrestimin e Albert Veliut, të njohur si “Babalja” me akuzën e kallëzimit të rremë. Për të njëjtën akuzë u caktua arrest me burg edhe për kunatin e tij, Fredi Alizotin. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, autori i investigimit gjatë të cilit u pretendua të jetë bërë audio-përgjimi, u vendos detyrim paraqitje.
Të premten Prokuroria për Krimet e Rënda mori në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit deputetin demokrat Ervin Salianji. Ai tha se kishte depozituar prova të reja dhe pretendoi se prokuroria po zvarrit hetimin e dosjes./abcnews.al