Gazetari i ABC, Agim Blloshmi vlerësohet me çmim për kontribut në mbrojtjen e mjedisit

schedule22:53 - 28 Prill, 2021

schedule 22:53 - 28 Prill, 2021

Për të evidentuar kontributin dhe përpjekjet e vazhdueshme të gazetarisë shqiptare në rritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet mjedisore e veçanërisht mbrojtjen e trashëgimisë natyrore shqiptare Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ndau tre çmime për gazetarinë më të mirë mjedisore, sipas konkursit të lancuar më parë. Mes të vlerësuarve ishte edhe gazetari i ABC, Agim Blloshmi.

Tre çmimet në të njëjtën vlerë shkuan për:

  1. Anila Stefa nga Lushnja me kronikën “Së bashku mbrojmë mjedisin”
  2. Agim Blloshmi nga Librazhdi me “Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanic në kthetrat e HEC-eve”
  3. Rajmond Kola i Zërit të Amerikës: “Gaforrja blu rrit dëmet për peshkatarët shqiptarë”.

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim IUCN-ën përfunduan zbatimin e projektit: “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile për të promovuar mbrojtjen e natyrës në Shqipëri” mbështetur nga Komisioni Europian në kuadër të programit “Mbështetje për kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile”.

Projekti u zbatua me veprime më konkrete në 4 zona pilote: Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, Rezervat i Mbrojtur Natyror të Kune Vainit, si dhe zonën e Porto Palermos. Veprimet u bazuan në problematiken mjedisore që paraqiteshin në këto zona, ku komuniteti lokal dhe shoqatat janë aktorë në zbatimin e planeve të menaxhimit për ZM dhe bashkëmenaxhues të burimeve natyrore në një zonë me vlera të larta të biodiversitetit (Porto Palermo) si tokësore dhe detare.

Në takimin e sotëm u prezantuan rezultatet e projektit, duke u fokusuar në eksperiencat bashkëpunuese të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe mediave në procesin e advokimit në luftën kundër korrupsionit në mjedis dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Përmes këtij aktiviteti, do të inkurajohet  mobilizimi i shoqërisë civile në bashkëpunim me mediat për të marrë një rol më aktiv në ndërmarrjen e fushatave të advokimit për të promovuar vlerat e trashëgimisë sonë natyrore, për të tërhequr vëmendjen në probleme që kërkojnë zgjidhje, të denoncojnë bashkërisht publikisht abuzimet me pushtetin dhe korrupsionin dhe pse jo të përqendrojnë vëmendjen e publikut dhe të vendimmarrësve në zgjidhje të mundshme që ofrohen. Ndërkohë janë zhvilluar një seri trajnimesh me gazetarët e pasionuar për mjedisin në rrethe dhe Tiranë, të cilët dhe paraqitën materialet e tyre në këtë konkurs.

Megjithëse Shqipëria ka një potencial dhe diversitet të lartë biologjik, ajo po vuan dëme të mëdha në vitet e fundit dhe në shumë raste të pakthyeshme, si në rastin e HEC-eve, guroreve, ndërtimit të infrastrukturës etj. Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në Shqipëri ende nuk është integruar siç duhet në politikat kombëtare dhe lokale. Kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikës së mjedisit dhe ruajtjes së natyrës dhe lehtësisht çon në konflikte dhe keqkuptime të panevojshme.

Vlen të theksohet në këtë kuadër roli i bashkëpunimit mes Medias dhe OMShC-ve për t’u angazhuar e bashkëpunuar ngushtë për veprime të koordinuara e aksione të përbashkëta ndërgjegjësimi, për një zë më të fuqishëm e gjithë përfshirës, në çështjet që duan të advokojnë, lobojnë dhe që kërkojnë një reagim qytetar. Bashkëpunimi me mediat luan një rol të rëndësishëm në procesin përhapjes së fjalës dhe mendimit të lirë, në advokimin dhe formulimin e një mesazhi bindës mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës, të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore për politikë-bërësit, subjektet dhe komunitetin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!