Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar të dhënat në lidhje me kallëzimet penale të regjistruara gjatë periudhës së zgjedhjeve. Në total janë bërë 27 kallëzime penale për vepra që kanë të bëjnë me pengimin e procesit zgjedhor. Prej tyre 18 materiale zgjedhor janë në proces verifikimi, ndërsa 6 të tjerë janë referuar në SPAK.
Raporti i prokurorisë
Ne vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmarra nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.
Përgjatë periudhës 23.04.2021 – 26.04.2021 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë raportuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mbi veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, si më poshtë:
Për veprën penale, Neni 325 “Pengimi i subjekteve zgjedhore” – 2 Kallëzime/referime/ ardhur me transferim;
Për veprën penale, Neni 327 “Shkelja e fshehtësisë së votimit” – 2 Kallëzime/referime/ regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, Neni 328 “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” – 3 Kallëzime/referime/ regjistruar kryesisht dhe 1 material kallëzues ardhur me transferim;
Për veprën penale, Neni 328/a Përdorimi i funksionit publik” – 11 Kallëzime/referime/ regjistruar kryesisht si dhe 8 materiale kallëzuese të ardhura me transferim;
Për veprën penale, Neni 330 “Pengimi i zgjedhësit” – 1 Kallëzime/referime/ regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, Neni 248 “Shpërdorim detyre ne lidhje me aktet ligjore per zgjedhjet” – 7 Kallëzime/referime/ regjistruar kryesisht;
Për veprën penale, Neni 329 “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” – 1 Kallëzime/referime/ ardhur me transferim.
Nga referimet në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për veprat e sipërcituara rezulton se janë regjistruar 8 procedime penale, 18 materiale kallëzuese janë në fazën e verifikimit paraprak dhe 6 materiale kallëzuese i janë transferuar SPAK –ut për kompetencë lëndore.
/abcnews.al