Seleksionimet për Shqipërinë U19, Cungu: Prania e trajnerit Reja u jep tjetër rëndësi

schedule13:39 - 22 Prill, 2021

schedule 13:39 - 22 Prill, 2021

Seleksionimet e ekipeve Kombëtare të moshave me lojtarë të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar kanë vijuar edhe sot. Elementët e përzgjedhur të vitlindjes 2004 janë paraqitur në kompleksin Internacional në Pezë Helmes për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit të ekipit Kombëtar U-19, Armando Cungu.

Të pranishëm në këtë seleksionim, përveç trajnerëve të ekipeve Kombëtare U-17, Ervin Bulku dhe trajnerit U-18, Ardi Behari, kanë qenë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, drejtori teknik i FSHF, Giancarlo Camolese, zv.trajneri i Kombëtares, Sergio Porrini dhe pjesëtarë të departamentit të ekipeve Kombëtare në FSHF.

Ata kanë ndjekur nga afër këtë seleksionim dhe kanë monitoruar lojtarët e ftuar. Duke folur për Fshf.org, trajneri i kombëtares U-19, Armando Cungu, ka vlerësuar nivelin e lojtarëve të rinj që aktivizohen me klube të kampionatit shqiptar, por ka theksuar se duhet bërë një punë edhe më e madhe që këta lojtarë të përmirësohen në të ardhmen.

“E kam theksuar dhe herë të tjera që nuk ka si të mungojnë elementët cilësorë edhe në kampionatin shqiptar. Megjithatë kanë ende punë për të bërë. Sot po vëzhgojmë datëlindjet e 2004, grupin B, ose të ashtuquajturit grupi i jugut, sikurse para dy javësh kemi seleksionuar grupin e veriut, apo grupin A, gjithmonë për datëlindjet 2004.

Në këtë aspekt, mundohemi të shikojmë elementët e duhur për të krijuar një ide të qartë për sa i përket kësaj datëlindje në kampionatin shqiptar”, – tha Cungu, i cili vlerësoi edhe prezencën e trajnerit të Kombëtares, Reja dhe vëmendjen që ai po i kushton monitorimit të lojtarëve të rinj.

“Është shumë e rëndësishme prezenca e trajnerit Reja, për t’i dhënë dhe seriozitetin dhe rëndësinë e duhur strukturës së Kombëtares shqiptare U-19. Prezenca e tij është e rëndësishme për të na dhënë të kuptojmë që vijueshmëria do të jetë e garantuar për sa i përket interesit për këta djem. Prandaj, prania e tij është kuptimplotë, jo vetëm për ne si trajnerë, por edhe për sportistët”, – shtoi tekniku kuqezi.

Sakaq, Cungu shprehet se pandemia i ka penguar procesin normal të vëzhgimit të lojtarëve, duke mos i dhënë mundësi që të monitorohen lojtarët që aktivizohen jashtë vendit, por shpreson që shumë shpejt të ketë mundësi të konfigurojë grupin e plotë që do të përfaqësojë Shqipërinë me fanellën e Kombëtares U-19.

“Patjetër që do të vazhdojmë javë pas jave. Ju e shikoni që jemi prezentë me seleksionimet, por gjithmonë duke ju referuar kampionatit shqiptar, sepse siç e kam theksuar dhe herë të tjera, për shkak të pandemisë jemi penalizuar në mundësinë e afrimit të lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë Shqipërisë.

Shpresoj që të kemi mundësi sa më shpejt për të shikuar edhe këta elementë, në mënyrë të tillë që të krijojmë një Kombëtare sa më dinjitoze, e cila nesër do t’i shërbejë edhe Kombëtares së madhe”, – deklaroi trajneri i kombëtares U-19, Armando Cungu. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!