Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka arritur të enjten në Kosovë.
Ai pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Vizita e shefit të diplomacisë gjermane vjen pas raportimeve mediale në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes të shteteve.
Siç kanë raportuar disa media, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.
Qeveria gjermane ka reaguar lidhur me këto raportime dhe i ka hedhur poshtë këto ide.
Ministri gjerman për Evropën ka thënë përmes një postimi në Twitter se e konsideron idenë e ndryshimit të kufijve si të “rrezikshme”.
Pas vizitës në Kosovë, Maas do të vizitojë edhe Beogradin.
Zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka njoftuar se Maas do të diskutojë me zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve./Rel/