Qeveria e Indonezisë ka vetëm 72 orë kohë për të shpëtuar 53 anëtarë të ekuipazhit të një nëndetëseje para se të mbarojë oksigjeni, shkruan BBC.
Nëndetësja KRI Nanggala-402 mendohet se është zhdukur rreth 60 milje (100 km) larg brigjeve të Bali të mërkurën. Gjashtë anije luftarake, një helikopter dhe 400 persona janë pjesë e operacionit për të shpëtuar 53 anëtarët e ekuipazhit.
Singapori dhe Malajzia kanë dërguar anije shpëtimi dhe SHBA, Australia, Franca dhe Gjermania janë angazhuar për të ndihmuar në shpëtimin e marinarëve. Sipas të dhënave, besohet se nëndetësja ka humbur kontaktet pasi iu dha leja për tu zhytur në thellësi.

Ndërkohë, një derdhje e naftës afër vendit ku nëndetësja u zhyt mund të jetë një shenjë e dëmit në rezervuarin e karburantit, ose mund të jetë gjithashtu një shenjë nga ekuipazhi, tha në një deklaratë marina.
Nëndetësja e zhdukur është një nga pesë nëndetëset që operohen nga Indonezia, e cila është prodhuar në fund të viteve 1970 dhe iu nënshtrua një riparimi dy-vjeçar në Korenë e Jugut që përfundoi në 2012. Një zëdhënës i marinës tha për BBC se kjo ishte hera e parë që Indonezia kishte humbur një nga nëndetëset e saj.
Por incidente të ngjashme kanë ndodhur në vende të tjera. Në vitin 2017, një nëndetëse ushtarake argjentinase me 44 persona në bord u zhduk në Atlantikun Jugor.
Ajo u gjet një vit më vonë dhe zyrtarët thanë se nëndetësja ishte zhytur në thellësi./abcnews.al

