Janë takuar në Moskë presidenti serb Vuçiç dhe ai rus Vladimir Putin. Biseda mes tyre është zhvilluar në gjuhën ruse. Vuçiç i është ankuar homologut rus se Serbia është viktimë e provokimeve të shumta.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është takuar në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin. Të dy presidentët kanë biseduar në gjuhën ruse. Kreu i shtetit serb falenderoi homologun e tij për ftesën dhe theksoi se takimi mes tyre është shumë i rëndësishëm për kombin serb.
Aleksander Vuçiç, president i Serbisë: “I nderuar zoti President, i dashur mik, faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të folur. Është një nder të takohemi, dhe ky takim është veçanërisht i rëndësishëm për të gjithë popullin serb. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë janë në nivele shumë të mira dhe unë mendoj se ju i mbroni interesat serbe, madje këmbëngulni për këtë. Dhe kjo është jetike për republikën e Serbisë. Siç e dini, zoti president Serbia është e ekspozuar ndaj një numri të provokimeve dhe përveç përpjekjeve tona dhe gatishmërisë për të arritur një kompromis në Kosovë dhe Metohi, situata është e tillë që ne jemi shumë larg nga çdo lloj zgjidhjeje”.
Nga ana e tij Presidenti rus Putin u fokusua në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve:
Vladimir Putin, president i Rusisë: “Jam i kënaqur që bashkëpunimi ynë ekonomik vazhdon të rrritet, dhe investimet ruse në Serbi aktualisht kanë arritur në vlerën e katër milliardë dollarëve. Për sa i përket temave të tjera aktuale, si për situatën në rajonin tuaj unë jam i sigurt se ne do të kemi mundësinë për të folur në detaje”.
Pak para takimit presidenti i Serbisë Vuçiç u shpreh se ky ishte një nga takimet më të rëndësishme me Putin, në krahasim me takimet e mëparshme. Vuçiç theksoi se situata në rajon është shumë komplekse dhe është e domosdoshme që të masë çdo fjalë dhe veprim politik./abcnews.al