Qeveria e Haradinajt gati për krijimin e asocacionit të komunave serbe në Veri

schedule11:37 - 2 Tetor, 2018

schedule 11:37 - 2 Tetor, 2018

Në pritje të raundit të radhës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duket se qeveria e kryeministrit Haradinaj, është gati për të vazhduar me procesin e krijimit të asocacionit të komunave serbe në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të punojë në përshpejtimin e procesit për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, edhe pse ende nuk ka marrë ndonjë draft-statut të propozuar nga ekipi menaxhues, i cili është përgjegjës për hartimin e këtij draft-statuti. Zyrtarë të qeverisë së kryeministrit Haradinaj kanë konfirmuar këtë lajm për mediat në Kosovë.

Ndërkohë një propozim për draft-statutin për Asociacionin tashmë i është dorëzuar Bashkimit Evropian nga ekipi menaxhues, i cili përbëhet vetëm nga katër përfaqësues të komunitetit serb të Kosovës.

Një nga anëtarët e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deklaroi për mediat, se baza për formimin e Asociacionit të komunave serbe është ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i ligjeve të veçanta në mënyrë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

Por qeveria e Kosovës këmbëngul se nuk ka ndërmend të ndryshojë Kushtetutën për të futur kompetencat e Asociacionit brenda saj. /abcnews.al