Kur kanë kaluar më shumë se 5 orë nga përplasja me armë në Elbasan, skena e krimit është ende e rrethuar nga policia për të mbledhur provat që do t’i shërbenin hetimit. Deri tani janë shoqëruar mbi 20 persona.
Gazetari i ABC, Ermal Vija raporton nga Elbasani se personave që janë shoqëruar u janë sekuestruar telefonat, pasi komunikimet e tyre të fundit mund të çojnë në zbardhjen e dinamikës, si nisi konflikti.
Gjithashtu nga policia janë sekuestruar edhe 3 furgonë me logon e PD-së, të cilët rrethuan makinën tip “Benz” ku po udhëtonte viktima Pjerin Xhuvani, që sipas denoncimit të PD-së po shpërndante lekë në këmbim të votës në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Në drejtorinë e policisë së Elbasanit ndodhet kupola e policisë së shtetit duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë që autori i vrasjes Arbër Papleka ka deklaruar në polici se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi është gjendur nën zjarrin e armëve. Nga plumbat kanë mbetur të plagosur dhe 4 persona të tjerë, njëri prej tyre efektive e policisë.
Gjithçka nisi pasi simpatizantët e PD bllokuan një mjet sipas tyre me para që pritej t’u shpërndahej banorëve për blerje votash për partinë socialiste. Gjithashtu kanë lajmëruar forcat e policisë për mjetin në fjalë. Shkëmbimi zjarrit ndodhi nën prezencën e drejtuesve të policisë së Elbasanit. / Abcnews.al