Ambasada amerikane ka reaguar për ngjarje e ndodhur në Elbasan, ku mbeti i vrarë aktivisti i PS, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër të tjerë.
Selia diplomatike amerikane bën thirrje që të të hetohet ngjarja dhe të identifikohen autorët. Në shënimin e ambasadës, thuhet se Yuri Kim i ka kërkuar krerëve të shtetit të ushtrojnë vetëpërmbajtje.
“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër,” shkruan ambasada.
Dinamika e ngjarjes:
Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maj” të qytetit. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i Partisë Socialiste për Elbasanin, Pjerin Xhuvani ndërsa të plagosur kanë mbetur një efektive policie, Kelmend Xhaferri si edhe dy persona të tjerë.
Policja Xhensila Sota ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa në gjendje të rëndë në spital ndodhet një tjetër person, i cili dyshohet se është dhëndri i viktimës Pjerin Xhuvani.
Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Vrasja në Elbasan, Arbër Papleka grabiti një automjet dhe u dorëzua te RENEA në Tiranë
Nga të dhënat paraprake mësohet se përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës. as konstatimit të makinës është thirrur edhe policia. Mësohet se në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë nëndrejtori i Policisë së Elbasanit Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vend ka ardhur edhe një makinë me simpatizantë të PS-së. Pas mbërritjes së kësaj makine në vendin e ngjares janë dëgjuar 16 të shtëna me armë të ndryshme. E gjithë skena ka ndodhir në prani të nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit, Albert Nushi.
Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në policia ish-efektivi i RENEA-s Arbër Papleka, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
g.v/abcnews.al