EMISIONI VETTING
“Asnjë rast i zhdukjes me forcë gjatë diktaturës komuniste, nuk ka mbërritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare”, është ky thelbi i deklaratës së OKB-së e pak viteve më parë. Është fjala për rreth 6 mijë persona të pushkatuar apo të vdekur në burgjet e kampet e diktaturës, varret e të cilëve nuk dihen ende. Një raport i OKB-së i vitit 2016, thekson se Shqipëria ka ratifikuar një konventë ndërkombëtare për të zhdukurit në vitin 2007, dhe për këtë arsye ka detyrimin për t’iu dhënë viktimave dhe familjeve të tyre të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë. Por gjatë këtyre viteve ende nuk ka një proces nga ana e institucioneve shqiptare. Pesha e Baltës, është dokumentari që i kushtohet personave të zhdukur gjatë diktaturës. Histori të dhimbshme të të afërmve të tyre rrëfejnë kalvarin 30-vjeccar në kërkim të eshtrave të të zhdukurve në diktaturë.
……………………….
Dajlan Zaimaj ka humbur jetën në burgun e Burrelit në qershor të vitit 1952. I biri, Gramoz Zaimaj është në kërkim të eshtrave të të atit prej 30 vitesh. “Punonjësit e burgut… “Nuk ka gjë këtu”, më thanë. Por, si dihet njëherë, shko edhe hidh lule nga rripa matanë, se e kanë zënë varrezat. E kanë zënë pallatet! Edhe i njëjti veprim ishte. Se atë e kanë sheshuar, e kanë me varreza. Kanë bërë pallate, kanë bërë fushë sporti…”, rrëfen Gramoz Zaimaj.
Gramozi nuk e ka fuqinë e Aldo Terucit për të lobuar në kërkim të eshtrave të të atit. Gramozi dhe mijëra shqiptarë të tjerë, të afërm, të viktimave të zhdukur të diktaturës, shpresojnë të përfitojnë nga precedent, si ai i italianit Terruci. Kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, pasardhës të 6 mijë viktimave të diktaturës do të vazhdojë të jetë e lënduar, për fatin tragjik të të afërmve të tyre. Dikush mund ta konsiderojë si histori të së shkuarës, por një ditë shoqëria shqiptare duhet të përballet me këtë të shkuar gjakësore për ta pranuar dhimbjen e asaj pjese që u prek rëndë nga diktatura dhe për t’iu kthyer eshtrat e të afërmve.
Në dhjetor të vitit 2016, Organizata e Kombeve të Bashkuara, publikoi një raport në të cilin theksohej se Shqipëria ka nevojë për të “kthyer faqen e dhimbshme të së kaluarës”. Në raport evidentohet se gjatë regjimit komunist, nga viti 1944 deri në 1990, rreth 6,000 njerëz u pushkatuan ose vdiqën nëpër burgje e internime, 34.000 u burgosën dhe më shumë se 50.000 u dërguan në kampet e internimit.
Houria Es-Slami, drejtuesja e grupit për personat e zhdukur, pranë OKB-së, thekson në këtë raport se: “Asnjë rast i zhdukjes me forcë, të kryera gjatë këtyre viteve, nuk ka mbërritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare”. Sipas saj, ka ndodhur për shkak të mungesës së iniciativës nga prokurorët, mungesës së informacionit nga familjarët dhe mosbesimi te institucionet. Përmes këtij raporti, OKB vëren se Shqipëria ka ratifikuar një konventë ndërkombëtare për të zhdukurit në vitin 2007, dhe për këtë arsye ka detyrimin “të marrë një qasje më gjithëpërfshirëse” për t’iu dhënë viktimave dhe familjeve të tyre të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Pavarësisht thirrjeve të organizatave ndërkombëtare, në Shqipëri familjarët vazhdojnë të vuajnë pa shpresë humbjen e eshtrave të të dashurve të tyre.
“Me thënë të drejtën këtu jam pa shpresë. Jam pa shpresë… Për terrenin që është krijuar, nuk ka shpresë. Nuk ka shpresë!” Gramoz Zaimaj.
“Po, kthimi nga Tepelena ka qenë njëlloj sikur kthehen njerëzit nga varret. Varroset një njeri, edhe kthehen. Kështu ka qenë për të gjithë që shkuam” Gjetë Kadeli.
“Nënat tona… të gjitha vdiqën, nëna ime dhe të gjitha të moshës së saj. Nuk doli njeri i gjallë prej aty. Dhe sot që llafosem më duket sikur e kam parasysh sikur dje. Ka vdekur… edhe sikur jam ndarë dje me të. Ajo më e keqja, se i humba varrin”.
Përballë indiferencës së institucioneve shtetërore, të afërmit e viktimave kanë një hapësirë ligjore përmes së cilës mund t’i kërkojnë shtetit shqiptar të drejtën për gjetjen dhe kthimin e eshtrave të të afërmve.
Prokuroria e përgjithshme sqaron gjithashtu, se kjo është e vetmja rrugë përmes së cilës të afërmit e të zhdukurve mund të kërkojnë nisjen e zhvarrimeve.
“Përsa i përket procedurës së zhvarrimeve për personat e zhdukur gjatë diktaturës komuniste në lidhje me rolin e prokurorisë në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se çdo prokurori e juridiksionit të përgjithshëm, në rast se ka regjistruar një procedim penal me objekt “Krimet kundër njerëzimit” që kanë të bëjnë me periudhën e krimeve të komunizmit dhe që janë vepra penale që nuk preken nga instituti i parashkrimit të ndjekjes penale, në rast se do të konstatonte të nevojshme kryerjen e veprimeve procedurale të egzumimit me qëllim dokumentimin e fakteve penale mbi bazën e vendimit të prokurorit, mund t’i hapte rrugë procesit të zhvarrimit” sqaron Prokuroria e Përgjithshme.
Ish-ministri Sandër Lleshaj beson se nuk është kjo rruga, sepse familjarët e viktimave nuk mund të vazhdojnë t’iu luten xhelatëve për të gjetur vendet ku varrosën viktimat e tyre.
Në dhjetor të vitit 2016, Organizata e Kombeve të Bashkuara, publikoi një raport në të cilin theksohej se Shqipëria ka nevojë për të “kthyer faqen e dhimbshme të së kaluarës”. Në raport evidentohet se gjatë regjimit komunist, nga viti 1944 deri në 1990, rreth 6,000 njerëz u pushkatuan ose vdiqën nëpër burgje e internime, 34.000 u burgosën dhe më shumë se 50.000 u dërguan në kampet e internimit.
Houria Es-Slami, drejtuesja e grupit për personat e zhdukur, pranë OKB-së, thekson në këtë raport se: “Asnjë rast i zhdukjes me forcë, të kryera gjatë këtyre viteve, nuk ka mbërritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare”. Sipas Houria Es-Slami, ka ndodhur për shkak të mungesës së iniciativës nga prokurorët, mungesës së informacionit nga familjarët dhe mosbesimi te institucionet. Përmes këtij raporti, OKB vëren se Shqipëria ka ratifikuar një konventë ndërkombëtare për të zhdukurit në vitin 2007, dhe për këtë arsye ka detyrimin “të marrë një qasje më gjithëpërfshirëse” për t’iu dhënë viktimave dhe familjeve të tyre të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Pavarësisht thirrjeve të organizatave ndërkombëtare, në Shqipëri familjarët vazhdojnë të vuajnë pa shpresë humbjen e eshtrave të të dashurve të tyre.
Institucionet dhe shoqëria shqiptare kanë ende shumë rrugë për të bërë, deri sa të mbërrijnë tek kthimi i dinjitetit të nëpërkëmbur të viktimave të diktaturës, nga ku mund të fillojnë të respektojnë shtetin ligjor, familjen dhe pronën, si në të gjitha vendet demokratike.
Për fat të keq, ajo ditë duket ende larg.
Kampet e burgjet ku vujatën dënimin e ku dhanë shpirt mijëra shqiptarë, nuk ekzistojnë më. shumica e tyre kanë mbetur veç rrënoja të harruara. institucionet shtetërore gjatë 30 viteve të fundit, nuk janë shqetësuar asnjëherë për t’i marrë në mbrojtje apo për t’i kthyer në muze.
“Pra, në fillim të viteve ’90 dhe për një farë kohe, të përndjekurit ishin mes nesh. Dhe, nuk mund të flitej atëherë për kujtesë, kur njerëzit janë gjallë. Por, flitet për zbutjen e dhimbjeve përmes politikave të ndryshme, që ishin punësimi, strehimi, shkollimi dhe dëmshpërblimi. Të gjitha këto nisën me rrëzimin e regjimit komunist, dhe me ardhjen e Partisë Demokratike në qeverisje. Tani po vij te pyetja juaj. Me kalimin e viteve, nevoja e kujtesës shtohet, sepse brezat shuhen. Dhe atëherë ti ke nevojë që ta regjistrosh apo ta dokumentosh atë që nuk do të jetë më pas disa vitesh. Mund të themi se nuk është bërë aq sa duhet. Çfarë është bërë… Pavijoni i Genocidit në Muzeun Historik Kombëtar, që është Muzeu kryesor në vend. Kemi burgun, ish-dega e brendshme në Shkodër që është kthyer në Muze. Pra, burgun aty. Ngritjen e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit që ka publikuar tashmë… ka bërë dokumentimin, publikim e monografive, intervista me të përndjekur. Pra tashmë kemi një korpus shumë të pasur, të botimeve të këtij institute”, thotë Aldo Bumci, ish-ministër i Kulturës.
Ministria e Kulturës ka në mbrojtje vetëm dy prej kampeve të diktaturës komuniste.
Kampi i Tepelenës është në mbrojtje të Ministrisë së Kulturës, por në të vërtetë ruhet disi nga persona që besojnë se është pronë e tyre private.
Kampi i Tepelenës është në mbrojtje të Ministrisë së Kulturës, por në të vërtetë ruhet disi nga persona që besojnë se është pronë e tyre private.
Në vitin 2018 Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, miratoi projektin: “Memoriali i Fëmijëve të Vdekur në Kampin e Internimit Tepelenë (pjesë e kompleksit muzeal të kampeve në diktaturë). Por, ende nuk ka asnjë shenjë të këtij memoriali.
Në mes të kampit janë 300 qiparisë që kanë nisur të rriten. U mbollën tri vite më parë në përkujtim të shpirtrave të fëmijëve të vdekur në këtë kamp. Projekti u ideua nga aktorja Ema Andrea, e mbështetur nga shumë personalitete e familjarë të viktimave të Tepelenës. Është e vetmja shenjë që të kujton historinë e dhimbjes së viktimave që vuajtën nëpër këto gazerma.
***
Notat vijnë përmallshëm e më duket sikur krijojnë melodinë e zërit të nënës sime; si brengë që na e kujtojnë prore të shkuarën e dhimbshme.
E këndoi edhe ajo këtë këngë se ishte aty për rreth dy vite, mes telave me gjemba të atij kampi.
Kjo melodi vjen si amanet për ne dhe brazat që vijnë, për të mos harruar vuajtjet e tyre.
Për të mos harruar eshtrat e fëmijëve grave e të moshuarve, humbur shpateve të këtyre maleve dhe brigjeve të lumit të Bënçës./ Abcnews.al