VETTING/ Pesha e baltës, shqiptarët dhe italiani, Lleshaj: Në 30 vite të zhdukurit janë përmendur rrallë

schedule20:49 - 20 Prill, 2021

schedule 20:49 - 20 Prill, 2021

Emisioni VETTING

“Asnjë rast i zhdukjes me forcë gjatë diktaturës komuniste, nuk ka mbërritur ndonjëherë në gjykatat shqiptare”, është ky thelbi i deklaratës së OKB-së e pak viteve më parë. Është fjala për rreth 6 mijë persona të pushkatuar apo të vdekur në burgjet e kampet e diktaturës, varret e të cilëve nuk dihen ende. Një raport i OKB-së i vitit 2016, thekson se Shqipëria ka ratifikuar një konventë ndërkombëtare për të zhdukurit në vitin 2007, dhe për këtë arsye ka detyrimin për t’iu dhënë viktimave dhe familjeve të tyre të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë. Por gjatë këtyre viteve ende nuk ka një proces nga ana e institucioneve shqiptare. Pesha e Baltës, është dokumentari që i kushtohet personave të zhdukur gjatë diktaturës. Histori të dhimbshme të të afërmve të tyre rrëfejnë kalvarin 30-vjeccar në kërkim të eshtrave të të zhdukurve në diktaturë.

……………………….

Asnjë institucion shqiptar nuk është interesuar për eshtrat e më shumë se 600 të internuarve, që humbën jetën në kampin e Tepelenës.  Sipas studimeve janë rreth 6 mijë viktima që konsiderohen të zhdukur gjatë diktaturës komuniste, të pushkatuar ose të vdekur nëpër kampe dhe burgje.

Dhe ndërsa kohët kanë ndryshuar, territoret ku mendohej se gjendeshin trupat e tyre, apo vendvarrimet, kanë humbur. Ka përpjekje të familjarëve në kërkim të eshtrave të të afërmve të tyre, por rrallë kanë rezultuar me sukses kërkimet për të gjetur dhe identifikuar trupat. Të vdekurit nëpër burgje mendohet se janë varrosur pranë kampeve ku kanë vuajtur dënimin. Janë disa rastet, ku familjarët kanë arsye për të besuar se, atje gjenden eshtrat e të zhdukurve.  Në qafë Bari, jo larg burgut, në një shpat të pjerrët që dikur ishte mbuluar nga pishat, duken ende disa gropa, të cilat tregojnë se aty varroseshin ata që vdisnin në burg. Pranë malit të Dajtit janë kryer kërkime nga familjarët e të pushkatuarve.

Pranë antenave të radio Shkodrës, gjithashtu u zbuluan eshtrat e dy të pushkatuarve që u sollën aty nga burgu i Qafë Barit. 2 km në hyrje të Pogradecit u gjend një skelet, që mendohet se i përket të pushkatuarve pa gjyq në kohën e diktaturës dhe sipas banorëve ishte pjesë e një varri masiv ku pritet të kryhen gërmime. Në Ballsh, pranë rafinerisë, dyshohet për një tjetër varr masiv, ku mendohet se janë varrosur rreth 90 të burgosur politikë të ekzekutuar. Zalli i Kirit është gjithashtu një ndër vendet në periferi të Shkodrës, ku pushkatoheshin e varroseshin viktimat e diktaturës në vitin 1945 dhe më vonë.

Nuk dihet ende fati i eshtrave të 600 të internuarve në kampin e internimit në Tepelenë, të cilët vdiqën si pasojë e keqtrajtimit. Vendi i varrezave të kampit u ndryshua tri herë në brigjet e lumit të Bënçës, ku erozioni i zhyti në ujë dhe eshtrat e tyre nuk u gjetën kurrë. Harta e vendeve ku u vranë e u varrosën viktimat e diktaturës komuniste, shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

“Së pari, faza e qartësimit të lokacionit, ku mund të jenë të varrosur. Janë varre të fshehta, vendei ekzekutimi të fshehta që sistemi nuk ka dashur të gjenden.  I ka fshehur për këtë arsye, që të mos jenë vende pelegrinazhi, të dobësojë lidhjet e familjes, t’i defaktorizojë në komunitet këta njerëz. Nuk ka dashur që të përdoren këto, si martirë, apo si mite të themi të rezistencës. Kështu që janë fshehur. Për këtë arsye është e vështirë.

Gjithsesi, përmes një aplikacioni të rëndësishëm që është mundësuar nga komisioni ndërkombëtar i gjetjes së të zhdukurve. Përmes vetëdeklarimit, janë identifikuar më shumë se 70 vende. Ne kemi qytetarë që na kanë ardhur, që e dinë se ku është varrosur. Ka raste, që vetë ish i burgosuri politik, ka varrosur shokun e tij, i cili ka vdekur përshembull në minierë. E di vendin. Dhe, nuk ka pasur mundësi familja dhe ky vetë që të bëhet gërmimi”, rrëfen Gentiana Sula, drejtuese e AIDSSH.

Gjatë 30 viteve të fundit, institucionet shtetërore shqiptare kanë heshtur, ose më keq akoma, kanë penguar përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur edhe kur këto nisma janë ndërmarrë nga ndërkombëtarët.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Shqipëri (ICMP) në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe faktorë të tjerë të interesuar, prej dy vitesh po bëjnë përpjekje për të gjetur kanalet e komunikimit me institucionet shtetërore. Deri më tani ka qenë një mision i pamundur.

“Këtë vit kemi takuar edhe Prokurorinë edhe Policinë, dhe Mjekësinë Ligjore, dhe Institutin e Arkeologjisë dhe Antropoologjisë, që edhe ata bëjnë pjesë… Ajo që rezulton është se ata kanë pasur gjithmonë një lloj hezitimi, sepse historia është gjithmonë më e madhe seç duket. Aty ku mund të ketë një trup të pagjetur, me siguri mund të ketë më shumë se sa aq. Dhe institucionet janë ndodhur të paafta për ta trajtuar problemin në kompleks, nëse një vend gjen një por mund të gjejnë dhe të tjerë. E para.

E dyta, kanë qenë të pasigurta nëse do të kryhet identifikimi I rastit. Identifikimi… ka metoda antropologjike që shikojnë një unazë, diku ka një shenjë, ka raste të tilla. Por, më i sigurt, kryhet përmes ADN-së. Këtë ICMP-ja e mundëson. Ne po ndërtojmë ura komunikimi, protokolle bashkëpunimi, ku, presioni që vjen përmes familjeve, të mos kanalizohet vetëm përmes kërkimit arkivor, që ndodh te ne, apo në arkiva të tjera të rrjetit. Por, të kanalizohet… jo vetëm të kanalizohet, por edhe të përcillet përmes të drejtave që familjet kanë tek institucionet” thotë Gentiana Sula.

“Një nga tentativat e fundit, ka qenë tentativa e Qeverisë ku unë kam bërë pjesë, e cila arriti të nënshkruajë me ICMP-në, një marrëveshje bashkëpunimi, që i garantoi ICMP-së, një status ligjor, fazi diplomatik në Shqipëri. Tashmë e ka këtë. I ka hapur rrugën e bashkëpunimit me institucionet tona. Pra, është krijuar një infrastrukturë ligjore, sepse marrëveshja me ICMP-në ka kaluar në Parlament dhe ka marrë fuqinë e një ligji. Por, ajo çfarë mungon është ngarkimi me ligj, i një institucioni kompetent, që nuk është Ministria e Brendshme.

Nuk mund të jetë Ministria e Brendshme, që e bën këtë punë. Institucioni që duhet ta bëjë këtë punë, është Prokuroria, në thelbin e saj. Prokuroria që duhet të merret me këtë çështje. E di që ka shumë ngarkesë se ka shumë punë, e shumë të tjera… por nuk është kurrë e tepërt, që dikush, qoftë edhe duke shtuar kapacitet në Prokurori, të merret në mënyrë ligjore me këtë çështje. Jemi vonë! Jemi tepër vonë, por edhe vonë diçka mund të bëhet”, thotë Sandër Lleshi, ish-ministër i Brendshëm.

Janë histori të vrasjes së qytetarëve shqiptarë prej strukturave shtetërore gjatë kohës së diktaturës komuniste. Pra, shteti është përgjegjës për të gjetur viktimat e veta. E megjithatë, institucionet ligjzbatuese ende nuk kanë nisur një proces për gjetjen e eshtrave. Është një histori, që na turpëron.

Për rolin e munguar të Prokurorisë në procesin e gjetjes së të zhdukurve, prokuroria e përgjithshme jep këtë shpjegim: Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Në këtë kontekst ligjor, në gjitha rastet e ekzistencës së një procedimi penal, prokurorët në ushtrimin e detyrave të tyre mund të urdhërojnë zhvarrimin e një kufome, kur ky veprim bazohet në një vendim të arsyetuar.

Në kuadër të angazhimeve institucionale, duam t’ju informojmë me iniciativën e dy drejtuesve, se institucionet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit po bashkërendojnë punën që do të pasohet më marrëveshjet përkatëse për mirëmenaxhimin e të dhënave mbi të zhdukurit që do të çojë në identifikimin e të gjeturve”, sqarohet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Bankieri Italian Xhuzepe Terruci ndërroi jetë në burgun e Burrelit. Ai ishte dënuar nga diktatura komuniste si armik i popullit shqiptar. Kur u arrestua dhe më pas u burgos, bashkëshortja dhe i biri Aldo Teruci u larguan drejt vendit të tyre me ndërhyrjen e shtetit Italian. Aldo Terruci ishte 5 vjeç në atë kohë. U kthye në Shqipëri pas rënies së diktaturës për të kërkuar eshtrat e të atit. Pas 30 vitesh kërkime, ia doli të sigurojë një leje nga institucionet shqiptare për të nisur zhvarrimin në burgun e Burrelit. Pas ndërhyrjes së Ambasadës Italiane, në shtator 2020, kryeministri Rama lëshoi një urdhër për nisjen e zhvarrimit. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sandër Lleshaj, thotë se e ka iniciuar këtë proces. I vetmi rast kur institucionet shtetërore lejuan nisjen e procesit të zhvarrimit është për shtetasin italian.

“Po, ka qenë çështja e të zhdukurve, ose ICMP-ja, një ndër temat me të cilat jam marrë së fundmi. Madje edhe në vitin 2020 pati një proces për të filluar kërkimet për një person. Një qytetar Italian, i cili ka vdekur në burgun e Burrelit, dhe konsiderohet i zhdukur. Për kërkimin e eshtrave të këtij personi ka pasur një proces, i cili ka filluar në tetor të vitit që shkoi, dhe që është ende në zhvillim e sipër. Me një pauzë të shkaktuar prej dimrit, mesa di unë, por që është ende në proces e sipër. Kristalizimi i të dhënave për një person ka bërë të nevojshme fillimin e një projekti për të kërkuar një lokacion, një vend të caktuar, ku mund të ketë më tepër se sa një person.

Kërkimi nuk bëhet për një person, por fillimi ka nisur për një person. Jo për arsye presioni. Me sa di unë, nuk ka çështje presioni këtu. Por është çështja që ka pasur një insistim familjar, janë akumuluar shumë të dhëna dhe është kristalizuar pak a shumë ideja se ku mund dhe duhen të zhvillohen kërkime, dhe kanë filluar kërkimet. Por, sa i përket çështjes në tërësi, për të cilën ju i referoheni edhe shifrave. Megjithatë, unë shifrat nuk para i çmoj shumë seriozisht, për arsye se nuk kemi shifra të sakta. Nuk ka shifra të sakta. Ka tentative, për të mbledh informacione. Ne harkun e këtyre 30 viteve çështja e të zhdukurve është përmendur rrallë. Çuditërisht, pak!”, thotë Sandër Lleshaj./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!