Separatistët në Katalonjë bllokuan disa rrugë dhe linja treni në Barcelonë në shenjë proteste për të drejtën e tyre për pavarësi. Ky zhvillim vjen në përvjetorin e parë të referendumit për pavarësi nga Spanja, i cili u pasua nga dhuna dhe heqja e autonomisë.
Katalonja një vit më pas. Aktivistët e Pavarësisë bllokuan rrugët dhe autostradat rreth Barcelonës dhe një linjë treni me shpejtësi të lartë me rastin e përvjetorit të parë të referendumit mbi pavarësinë e rajonit spanjoll, të shënuar nga dhuna. “Linja hekurudhore me shpejtësi të lartë është bllokuar në Girona, 100 kilometra në veri-lindje të Barcelonës, binarët janë zënë”, njoftoi kompania hekurudhore Renfe.
Televizionet lokale transmetuan imazhet e militantëve të komiteteve të mbrojtjes të Republikës, që pretendojnë se janë të ndarë nga Madridi, të cilët kanë zunë shinat dhe bllokuan rrugët. Rrjeti rrugor ka konfirmuar ndërprerjet përgjatë autostradës A7, midis Barcelonës dhe Valencias, dhe A2, e cila lidh qytetin katalanas me Madridin.
Pjesëmarrja në referendum – i quajtur si ilegal nga qeveria spanjolle – ishte 43%, nga të cilët 90% votuan në favor të divorcit nga Madridi, sipas autoriteteve lokale. Kryeministri i atëhershëm konservator Mariano Rajoy nuk e njohu votën dhe mbreti Philip VI dënoi përpjekjen, duke mbështetur autoritetet kombëtare për të “garantuar rendin kushtetues”.
Udhëheqësit katalanas, megjithatë, shpallën pavarësinë më 3 tetor. Madridi pezulloi autonominë rajonale të Katalonjës, shkarkoi Chalres Puigdemon nga detyra e presidentit, shkriu parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohëshme rajonale.
Më 21 dhjetor, me tre kandidatë separatistë në burg dhe pesë të tjerë në ekzil, duke përfshirë Puigdemont në Belgjikë, partitë e pavarësisë fituan përsëri duke marrë një shumicë absolute. Meqenëse Puigdemont nuk mund të betohej nga jashtë, presidenti i ri katalanas u bë Quim Torra, duke bërë të mundur rivendosjen e qeverisjes autonome. /abcnews.al