Nga Anna Isaac, Politico.eu
Çfarë do të ndodhë me Mbretërinë e Bashkuar kur mbretëresha Elisabeth të ndërroi jetë? Mekanike makinash, koleksioniste pullash postare, ikonë e modës, askush nuk ka një CVsi ajo e Mbretëreshës Elizabeth II. Por siç edhe i kujtoi botës vdekja e bashkëshortit të saj Princit Philip javën e kaluar,edhe jetët e jashtëzakonshme marrin fund një ditë.
Dhe në kushtet kur mbretëresha mbushi 95 vjeç më 21 prill, planifikimi i tranzicionit të fronit është bërë një çështje gjithnjë e më e ngutshme, si për familjen mbretërore ashtu dhe për Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa mbretëresha mbetet personalisht shumë popullore, një seri skandalesh e kanë njollosur pjesën tjetër të familjes mbretërore.
Një sondazh i fundit zbuloi se më shumë se 70 për qind e njerëzve në Skoci, Uells dhe Anglinë qendrore e pëlqejnë mbretëreshën. Por vetëm 50 për qind e të anketuarve në Uells dhe Anglinë qendrore pëlqejnë trashëgimtarin e saj, Princin Charles. Në Skoci, mbështetja për Charles ishte vetëm 41 për qind.
Nuk është në diskutim çështja nëse Britania do ta shfuqizojë monarkinë sapo të vdesë Elizabeth. Sipas një sondazhit të tetorit 2020, vetë institucioni monarkik vazhdon të gëzojë një mbështetje të gjerë.
Ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar po gjendet nën një presion të paparë nga separatizmi skocez dhe pasojat e Brexit,çështja është nëse monarku i ardhshëm do të jetë apo jo në gjendje të sigurojë të njëjtin ndikim të qëndrueshëm si Elisabeth.
Një episod që nxjerr në pah vështirësitë e këtij procesi ishte trajtimi që i bëri mbretëresha kërkesës së kryeministrit Boris Johnson në vitin 2019, për të pezulluar punën e parlamentit gjatë kulmit të debatit mbi Brexit.
Ai vendim shkaktoi një zemërim të madh tek ata që e kundërshtonin Brexit, duke e tërhequr mbretëreshën në një debat politik, dhe duke bërë që disa prej tyre të bëjnë thirrje për një reformë të kushtetutës së pashkruar të Britanisë.
Gjithsesi, Elisabeth doli në fund e padëmtuar nga ajo krizë. Nuk është e qartë nëse djali i saj do të kishte qenë në gjendje të bënte të njëjtën gjë. Charles është i detyruar të përballet me sfida të mëdha. “Unë nuk mund ta them me siguri se ai nuk do të ishte në gjendje të sillej në atë mënyrën. Por them se duhet të jemi të vetëdijshëm për pikëpyetjet që ekzistojnë”-thotë Catherine Haddon, historiane në Institutin për Qeverinë dhe eksperte e kushtetutës.
Planifikimi se çfarë do të ndodhë në rastin e një vdekje, sidomos të një humbjeje që mund të destabilizojë një komb, është një çështje shumë delikate. Kjo është arsyeja pse vdekjet brenda familjes mbretërore kanë emra të ndryshëm të koduar. Elizabeth është operacioni “London Bridge”.
Por ka diçka mbi të cilën edhe plan-bërësit më të kujdesshëm nuk kanë kontroll:kush vjen më pas. Në momentin që mbretëresha do të vdesë, para se dikush ta shpallë këtë publikisht, Princi Charles do të bëhet mbret.
Ai do të trashëgojë menjëherë titujt dhe pronat,dhe do të bëhet kryetari i një familje mbretërore që është sërish në kaos. Intervista e Oprah Winfrey me djalin e Charles, Princin Harry dhe gruan e tij Meghan, ngriti akuza për racizëm brenda familjes mbretërore.
Meghan tha se para se të lindte djali i saj, Archie, pati “shqetësime dhe biseda” me një anëtar të familjes në lidhje me ngjyrën e tij të lëkurës. Më vonë Harry sqaroi se komentet nuk kishin ardhur nga mbretëresha apo Princi Philip, duke shkaktuar një valë tjetër spekulimesh rreth identitetit të personit në familjen mbretërore që është treguar racist.
Ndërkohë, vëllai i vogël i Charles, Princi Andrew, ka vazhduar të tregojë se të jesh pjesë e familjes mbretërore nuk do të thotë domosdoshmërisht të sillesh si i tillë. Ai u përjashtua
nga rolet publike pasi lidhjes së tij me Jeffrey Epstein, biznesmenin amerikan të dënuar për abuzime seksuale.
Dhe pastaj është seriali “Kurora” në Netflix, që bazohet sërish tek ndarja e Charles me ish-gruan e tij Diana Spencer. Në termat e imazhit, seriali ishte “një katastrofë e rëndë”,tha për POLITICO një anëtar i familjes mbretërore. Debatet nuk e kanë prekur mbretëreshën, por ato do t’ia bëjnë gjërat më të vështira Charles, që do t’i nënshtrohet një vëzhgimi intensiv që nga momenti që do të ngjitet në fron.
Princit të Uellsit i mungon aftësia e nënës së tij për të qëndruar mbi sherret e politikës. Elisabeth ka kultivuar imazhin e një monarkeje të paanshme. Edhe kur unioni ishte në rrezik gjatë referendumit të vitit 2014 për pavarësinë e Skocisë, ajo u kufizua duke thënë se shpresonte që “njerëzit të mendojnë me shumë kujdes mbi të ardhmen”.
Ndërkohë, pikëpamjet e Charles mbi çështje aq shumë të ndryshme siç janë strehimi
dhe ndryshimi i klimës, janë gjerësisht të njohura. Ndërkohë, aftësitë diplomatike të mbretëreshës janë përdorur gjithashtu mirë në Britani, dhe Charles mund të përpiqet që ta imitojë.
“Ajo i kupton më mirë se kushdo tjetër detajet e mbretërisë. Ajo e di se nuk është mbretëresha e vetëm një vendi, por e 4 të tillëve. Në fakt ajo është mbretëresha,e Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut, dhe ajo vepron më shumë si e tillë”- thekson në tej Haddon.
Në kohën e referendumit të tensionuar skocez të vitit 2014, nacionalistët e mbështetën faktin që Elisabeth të vazhdonte të ishte “Mbretëresha e Skocezëve”, edhe nëse kombi ndahej me pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.
“Madhëria e saj Mbretëresha, do të jetë kreu i shtetit”- thuhej në një projekt-plan për pavarësinë e shtetit skocez gjatë fushatës së 7 viteve më parë. Serialet televizive, debati politik, opinioni publik dhe media, sugjerojnë se jetëgjatësia dhe sjellja e mbretëreshës i lejojnë asaj të ketë një rol bashkues me të gjitha kombet e Mbretërisë së Bashkuar.
Kjo është më pak e qartë sa i përket Charles. Privatisht, anëtarët e Partisë Kombëtare Skoceze thonë se partia e tyre është e ndarë për këtë çështje, dhe vdekja e mbretëreshës ofron ndoshta një moment të natyrshëm për të ndryshuar pozicionin e tyre drejt republikanizmit.
Partia e Gjelbër Skoceze e ka deklaruar publikisht se do të kërkonte një kryetar shteti të zgjedhur në mënyrë demokratike. Me vdekjen e mbretëreshës, Charles do të bëhet gjithashtu kreu i Komonuelthit, një grup me 54 kombe, që e ka zanafillën tek Perandoria Britanike.
Sipas Robert Hazell, profesor i qeverisë dhe kushtetutës në University College London, Charles synon ta zvogëlojë madhësinë e familjes mbretërore, duke mbajtur shumë pak anëtarë të familjes në listën e pagave.
“Sa më e madhe është familja, aq më i madh është rreziku që dikush të dalë nga binarët”- thotë Hazell. Por kjo reformë mund të shkaktojë tensione të mëtejshme brenda familjes.
Ditën kur Charles të ngjitet në fron, mund të mos ekzistojë një front i bashkuar në Pallatin Bakingam.
Shqetësimet rreth tranzicionit janë mjaft serioze, dhe kanë shkaktuar propozime për një të ashtuquajtur regjencë të butë, një mënyrë elegante për të sugjeruar që mbreti Charles t’ia kalojë disa nga detyrat e tij publike djalit të tij të madh William.
Tradicionalisht, regjenca është një praktikë që ndodh kur një monark është i ri ose i dobët, dhe nuk mund të kryejë të gjitha funksionet e kërkuara prej kryetari të kombit. Charles dhe William mund t`i ndajnë funksionet e tyre për të krijuar një version jozyrtar të kësaj regjence, mendon Hazell.
Në një skenar të tillë, roli i Charles si kreu i shtetit mund të jetë relativisht i kufizuar, thotë ai. Duke marrë përsipër vetëm aktivitete thelbësore, të tilla si takimi i përjavshëm me kryeministrin dhe pritja e ambasadorëve, mbreti mund të qëndronte përgjithësisht larg vëmendjes së publikut.
Ndërkohë, William mund të shërbente si kreu de facto i vendit. Burimet brenda familjes mbretëror thanë për POLITICO se ideja e një regjencë të butë është diskutuar tashmë, megjithëse pikëpamjet se si duhet të jetë ajo janë të ndryshme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al