Gjermania është kategorisht kundër idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm Michael Roth është shprehur se e ardhmja e vendeve të këtij rajoni është vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze.
“Vendet në Ballkanin Perëndimor kanë një të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal janë çelësat e paqes, demokracisë dhe prosperitetit. Vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme” deklaron ai.
Por si u rikthye ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan?
Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.
Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.
Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.
Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim”, shkroi ai në rrjetet sociale, por debati vazhdon. / db/ Abcnews.al