Kosova humbi territor nga marrëveshja për kufirin me Malin e zi

schedule10:43 - 6 Nëntor, 2017

schedule 10:43 - 6 Nëntor, 2017

Kosova mund t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të zgjidhur problemin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sipas mediave kosovare, kryeministri Ramush Haradinaj po e sheh këtë alternative gjithnjë e më shumë si një mundësi zgjidhjeje, nëse Mali i Zi vijon të refuzojë rinegocimin e kësaj çështjeje.

Diskutimi për këtë çështje në opinionin publik kosovar është rikthyer ditët e fundit, pasi Komisioni për Shenjimin e Kufirit zbuloi se Kosova ka humbur territor në marrëveshjen e arritur nga qeveria e mëparshme. Këtë e konfirmoi Shpejtim Bulliqi, i vendosur në krye të komisionit pas zgjedhjes së Haradinajt në krye të qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës, Bulliqi tha se komisioni kishte kryer ditët e fundit një matje të re në terren. Sipas tij, nga matjet rezultoi se përcaktimi i kufirit nga komisioni i mëparshëm ishte bërë gabim. Megjithatë Bulliqi nuk foli për fakte konkrete, për të cilat tha se shumë shpejt do ti dërgohen qeverisë dhe kuvendit  për shqyrtim në fund të nëntorit.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka kundërshtuar që kur ishte në opozitë marrëveshjen e arritur me Malin e Zi nga qeveria e pararendësit të tij Isa Mustafa. Haradinaj paralajmëroi që gjatë fushatës për zgjedhjet paralamentare të këtij viti, që do të kërkonte ridiskutimin e marrëveshjes nëse zgjidhej kryeministër, çka ka nisur ta bëjë konkretisht. Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbështetës i marrëveshjes së mëparëshme, kërkon përpara se Kosova të kërkojë zyrtarisht rinegocimin e marrëveshjes, çështja të diskutohet në Kuvend./ABC NEWS