Shqipëria mbështet vendimin për tërheqjen e trupave nga Afganistani

schedule21:29 - 14 Prill, 2021

schedule 21:29 - 14 Prill, 2021

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se sot ishte e pranishme në takimin e posaçëm të ministrave të jashtëm e të mbrojtjes të NATO. Xhaçka shkruan ndër të tjera se ka konfirmuar se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani.

Ministrja Xhaçka vlerësoi vendimin e administratës aktuale të SHBA, për të mos u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Afganistani, por duke e bërë këtë në konsultim të plotë me vendet e NATO-s.

“Sot, në takimin e posaçëm të ministrave të jashtëm e të mbrojtjes të NATO, në emër të qeverisë shqiptare, konfirmova se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani.

Ka ardhur koha që afganët dhe forcat politike të marrin pronësinë e këtij procesi paqeje.

Shqipëria është e gatshme të tërheqë trupat e saj, së bashku dhe në koordinim me Aleatët” shkruan Olta Xhaçka. /E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!