Mediat serbe citojnë OKB: Zyrtarët nga Prishtina nuk janë ftuar në Asamble

schedule11:14 - 27 Shtator, 2018

schedule 11:14 - 27 Shtator, 2018

Mediat serbe citojnë zëdhënësin e Orgnaizatës së Kombeve të Bashkuara Eri Kaneko, sipas të cilit delegacioni nga Kosova, i përbërë nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Behxhet Pacolli nuk ishte i ftuar në Asamblenë e Përgjithshme. Ata ndodheshin në Nju Jork privatisht.

Delegacioni nga Prishtina i përbërë nga Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Behxhet Pacolli nuk ka qenë i ftuar të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Zëdhënësi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Eri Kaneko u shpreh se përfaqësuesit kosovarë ndodheshin në Nju Jork në mënyrë private. Mediat serbe citojnë Kanelo i cili shton se dihet arsyeja se pse delegacion kosovar nuk kishte ftesë zyrtare dhe janë po të njëjtat arsye se pse ata qëndruan në Nju Jork në mënyrë private. Agjencia serbe e Lajmeve B 92, shkruan se deklarata e zëdhënësit të OKB-së, përgënjeshtron lajmin e televizionit Klan Kosova sipas të cilit Thaçi ndodhej atje për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme.

Kaneko shpjegoi se përfaqësuesit e vendeve anëtare të OKB-së marrin pjesë në punimet e asamblesë së përgjithshme kur marrin një ftesë. Ndërkohë që vetëm përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe vëzhguesit e përhershëm mund të flasin gjatë diskutimeve të nivelit të lartë.
Ai theksoi se Prishtina nuk e ka statusin e një vëzhguesi të përhershëm dhe as nuk është anëtare e OKB-së.

Më tej mediat serbe shkruajën se kjo shpjegon faktin se pse asnjë nga delegacioni kosovar nuk ishte i pranishëm në darkën e shtruar për pjesëmarrësit e Asamblesë së Përgjithshme. Darka u organizua ditën e parë të asamblesë nga presidenti amerikan Donald Tramp.
Para nisjes së Asamblesë ishte lajmëruar se Hashim Thaçi do të takohej me Tramp gjatë Asamblesë së Përgjithshme, por pak para nisjes së tij në Nju Jork presidenca kosovare deklaroi se takimi ishte i pasigurtë pasi nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.
Të mërkurën Thaçi postoi në profilin e tij në Tuiter një fotografi me kreun e Shtëpisë së Bardhë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!