Kreu i programit bërthamor civil të Iranit e ka quajtur avarinë e rrjetit elektrik në objektin bërthamor Natanz, “terrorizëm bërthamor”. Ali Akbar Salehi i bëri komentet përmes një raporti të publikuar në internet nga televizioni shtetëror iranian mbrëmjen e së dielës. Ai nuk përmendi se kë dyshon Irani për sabotim, por komentet e tij përshkallëzojnë tensionet aktuale në Lindjen e Mesme.
Ndërsa askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për incidentin, dyshimet ranë mbi Izraelin, ku media atje menjëherë raportoi se një sulm kibernetik shkatërrues i orkestruar nga ai vend kishte shkaktuar ndërprerjen e energjisë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në mbrëmje u shfaq me shefat e tij të sigurisë, dhe drejtuesin e agjencisë së zbulimit Mosad, Yossi Cohen në prag të festës së pavarësisë së vendit.
“Nuk është e lehtë të shpjegosh atë që kemi arritur”, tha zoti Netanyahu për historinë e vendit të tij, duke shtuar se Izraeli ishte transformuar nga një vend i dobët në një “fuqi botërore”.
Nëse problemet në centralin bërthamor iranian janë shkaktuar nga Izraeli, kjo do të thellonte edhe më tej tensionet mes dy vendeve, që tashmë janë përfshirë në një konflikt të kamufluar në të gjithë Lindjen e Mesme.
Zoti Netanyahu, i cili u takua të dielën me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin, është zotuar të bëjë gjithçka që ai ka në dorë për të ndaluar marrëveshjen bërthamore.
Shumë media izraelite ofruan të njëjtin vlerësim, se një sulm kibernetik ndërpreu energjinë elektrike në objektin bërthamor Natanz dhe dëmtoi strukturën ku gjenden centrifugat e rëndësishme për pasurimin e uraniumit. Njoftimet e shtypit nuk bënin të ditur burimin e të dhënave për vlerësimin në fjalë, ndonëse media izraelite mban një lidhje të ngushtë me agjencitë ushtarake dhe të zbulimit në vend.
Zhvillimet në objektin bërthamor iranian vijnë ndërsa Teherani dhe fuqitë botërore vazhdojë të negociojnë lidhur me programin bërthamor iranian prej të cilit u tërhoqën Shtetet e Bashkuara gjatë drejtimit të vendit nga Presidenti Donald Trump.
Pavarësisht akuzave të ngritura për sabotim në kompleksin bërthamor iranian Natanz nga Ali Akbar Salehi, i cili drejton Organizatën e Energjisë Atomike të Iranit, ai nuk fajësoi drejtpërdrejt dikë për incidentin.
Nëse pas avarisë në rrjetin elektrik fishihet Izraeli, kjo do të përshkallëzonte edhe më tej tensionet mes dy vendeve, të cilat tashmë janë përfshirë në një konflikt të kamufluar përgjatë Lindjes së Mesme.
“Për të penguar qëllimet e kësaj lëvizjeje terroriste, Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë të përmirësojë me seriozitet të lartë teknologjinë bërthamore nga një anë dhe të heqë sanksionet shtypëse nga ana tjetër. Ndërsa dënon këtë veprim të dëshpëruar, Republika Islamike e Iranit thekson nevojën për një konfrontim nga organet ndërkombëtare dhe (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore) kundër këtij terrorizmi bërthamor” IAEA, citohet të ketë thënë Salehi sipas televizionit shtetëror iranian.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore (IAEA) që monitoron programin bërthamor iranian, tha më herët se ishte në dijeni të njoftimeve mediatike mbi incidentin në Natanz dhe se kishte biseduar me zyrtarët iranianë lidhur me situatën, por pa dhënë hollësi.
Zhvillimet e së dielës i ndërlikojnë përpjekjet amerikane, partneri kryesor izraelit për sigurinë, për të realizuar përsëri një marrëveshje bërthamore që synon të kufizojë programin e Teheranit për të zhvilluar një armë bërthamore./VOA