Partizani ndihet i qetë përpara derbit ndaj Tiranës. Kapiteni Alban Hoxha thotë se presioni është më i madh mbi kundërshtarin, por trajneri Gega thekson se skuadra e tij, nuk luan thjesht për të fituar një ndeshje.
Fitorja e Kupës ishte thjesht një përgatitje më shumë.
Tek Partizani, natyrshëm, e kanë mendjen tek derbi me Tiranën, ndërsa suksesi 4-0 ndaj Tërbunit ndihmoi trajnerin Gega që të shikonte gjendjen e lojtarëve, dhe të linte pushim disa prej tyre.
Drejtuesi i të kuqve mendon se ekipi ka rritje, por ende nuk ka arritur atje ku duhet.
Ai thotë me bindje se nuk i druhet kritikave të ish-trajnerëve të Partizanit në rast humbjeje, duke nënkuptuar Sulejman Starovën, që është shprehur i pakënaqur me nivelin e skuadrës.
Gjithsesi, pyetja vjen, më mirë të fitosh derbin, apo titullin?
“Me gjithë respektin që kam për tifozët dhe gjithë dashamirësit, të fitojmë derbin do ishte shumë mirë dhe ne këtë dëshirojmë, por objektivi është një projekt që ne duhet ta realizojmë”, tha Gega.
Kur ishte lojtar, Gega i shënoi një gol Tiranës 30 vjet më parë, në një derbi spektakolar që përfundoi 3-2 për të kuqtë.
Kapiteni Alban Hoxha është shembulli më i mirë sesa ka ndryshuar atmosfera tek Partizani, në krahasim me vjet.
“Unë e lash vetë shiritin në atë kohë. Pati një keqkuptim mes meje dhe drejtorit Moxhi megjithatë është komplet ndryshe këtë vit”, tha Hoxha.
Kush mund të quhet favorit të premten?
Hoxha thekson faktin se Tirana ka 13 ndeshje që nuk fiton.
“Unë mendoj se ne jemi më të qetë. Ambienti është më i qetë, nuk ka presion se duhet fituar derbi se s’bën. Mendoj se janë në presion më të madh se ne duke pasur parasysh që kanë shumë derbi pa fituar”, theksoi Hoxha./abcnews.al

