Qendra për të drejtat në Punë në Shqipëri ka reaguar në lidhje me grevën e organizuar nga kontrollorët e shoqatës AlbControl duke pezulluar punën në Aeroportin e Rinasit. Në deklaratë citohen të gjitha hapat që duhet të kishin ndjekur kontrollorët para se të ndërmerrnin grevën e urisë, duke qenë një grup punonjësish në një sektor me rëndësi jetike.
Sipas kësaj qendre, braktisja e punës në mënyrë të organizuar në këtë kohë pandemie kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare i jep ngjyrime politike veprimit të tyre duke penguar fuqizimin e lëvizjes së vërtetë sindikaliste.
“Braktisja e punës në mënyrë të organizuar në këtë periudhë pandemie dhe vaksinimi është abuzim me të drejtën dhe me pasoja të rënda për interesin publik.
Një braktisje e tillë e punës në prag të zgjedhjeve parlamentare, me apo pa vetëdije, i jep ngjyrime politike veprimit të tyre, gjë që nuk i shërben zgjidhjes reale të pretendimeve të punonjësve në kontekstin shqiptar të marrëdhënieve të punës, ku ngjyrimet politike përgjithësisht i janë bërë pengesë dhe e kanë frenuar shpërfaqjen dhe fuqizimin e lëvizjes së vërtetë sindikaliste”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR, si e vetmja organizatë e specializuar në vend në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave në punë dhe fuqizimit të lëvizjes sindikaliste, e ka ndjekur me interes dhe shqetësim, konfliktin kolektiv të punonjësve të kontrollit të trafikut ajror. Greva ose “braktisja e punës” nga kontrollorët e trafikut ajror, e justifikuar me paaftësinë e njëkohëshme kolektive të tyre për të kryer detyrën për shkak të stresit që ka ardhur nga cënimi i pagës, në gjykimin tonë, nuk është mënyra e duhur ligjore për adresimin e kësaj cështje në mënyrë të drejtë, të arsyeshme dhe në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Në vetvete, greva ka qenë dhe mbetet mjeti kryesor fundor i punëmarrësve për të arritur përmbushjen e qëllimeve të tyre në punë. Si e tillë, ajo është një e drejtë kushtetuese shumë e rëndësishme.
Grevë, në konceptin klasik të marrëdhënies së punës, konsiderohet refuzimi i një grupi punëmarrësish për të punuar deri sa të zgjidhen disa kërkesa ekonomike dhe/ose shoqërore që kanë lidhje me punën. Vetëm një sindikatë ka të drejtën të organizojë grevën dhe ta shpallë atë. Sidomos në shoqëritë në zhvillim si kjo e jona, sa më shumë greva të ketë nga kategoritë e punonjësve aq më mirë është dhe kjo duhet të nxitet dhe mbështetet sa më shumë nga të gjithë aktorët socialë dhe civilë por edhe nga institucionet e punës në vend.
Nga ana tjetër, greva duhet të jetë e ligjshme dhe jo abuzive me qëllim që të fitojë mbështetjen e pjesës më të madhe të punonjësve brenda vendit të punës, të grupeve të tjera të punëmarrësve dhe pse jo, më gjerë, edhe të gjithë aktorëve publikë e shoqërisë. Greva ose braktisja e vendit të punës nga punonjësit e kontrollit të trafikut ajtor në Rinas, pjesë e kompanisë shtetëtore “Albcontrol”, e shpallur në heshtje dje nga sindikata e tyre, nuk gjen asnjë mbështetje ligjore, parë kjo në këndvështrimin e procedurës së zgjidhjes që Kodi i Punës i Qendra për të Drejtat në Punë Centre for Labour Rights CLR Republikës së Shqipërisë përcakton në rast të konflikteve kolektive të punës në shërbimet e rëndësisë jetike. Sipas Kodit të Punës, rruga që duhet të ndiqet për zgjidhjen e konflikteve kolektive në shërbimet e rëndësisë jetike, ku futet edhe kontrolli i trafikut ajror, pavarësisht nga shkaqet që çojnë në këtë konflikt duhej të ishte si më poshtë:
- Në rast të moszgjidhjes së konfliktit në rrugë institucionale dhe dështimit të bisedimeve dypalëshe punëdhënës-sindikatë, secila nga palët veçmas ose të dyja bashkë, duhej t’i drejtoheshin për zgjidhje ministrisë përgjegjëse për punën, (Ministria e Financës dhe Ekonomisë) ose Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët nga ana e tyre do të vinin në lëvizje procedurën e zgjidhjes paragjyqësore të konfliktit përmes ndërmjetësimit dhe pajtimit. Procedura e ndërmjetësimit është e detyruar për palët në konflikt dhe zgjat dhjetë ditë.
- Në rast se ndërmjetësi shtetëror pas kalimit të kohës ligjore për zgjidhjen e konfliktit përmes ndërmjetësimit, do të shpallte dështimin e këtij ndërmjetësimi, atëherë ministri përgjegjës i punës do të vinte në lëvizje Zyrën Kombëtare të Pajtimit, (për shkak të rëndësisë kombëtare të konfliktit në fjalë). Zyra Kombëtare e Pajtimit është një organ trepalësh i përbërë nga pesë (5) persona: kryetari i saj (person i ngarkuar nga ministri përgjegjës për punën), dy (2) përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve (sindikatat) dhe dy (2) përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.
Zyrës së Pajtimit i është përcaktuar një afat kohor prej dhjetë (10) ditësh për t’i dhënë zgjidhje një konflikti kolektiv. Palët, pjesë e konfliktit, njësoj si në rastin e ndërmjetësimit janë të detyruar të marrin pjesë në takimet e organizuara nga Zyra e Pajtimit dhe të vendosin në dispozicion të saj prova dhe fakte që kërkohen. Në fund të kohës ligjore, Zyra e Pajtimit iu propozon palëve një formulë për zgjidhjen e konfliktit. Ky propozim i Zyrës së Pajtimit nuk është i detyrueshëm të zbatohet nga palët në konflikt, në rast se njëra prej tyre ose të dyja bashkë nuk bien dakort me zgjidhjen e ofruar. Në këtë rast, Zyra e Pajtimit shpall dështimin e procedurës së pajtimit.
- Në shërbimet me rëndësi jetike, të përcaktuara nga ky Kod, pas dështimit të procedurës së ndërmjetësimit dhe pajtimit, konfliktet zgjidhen në mënyrë të detyrueshme dhe përfundimtare, nga një gjykatë arbitrazhi e përbërë nga tre arbitra të zgjedhur nga palët. Në rast se palët nuk bien dakord, arbitrat zgjidhen me short, nga lista e arbitrave, nga gjykata, brenda 5 ditëve, duke filluar nga data e kërkesës së njërës prej palëve.
- Zgjidhja e konfliktit përmes hapave procedurialë të përmendur më sipër, është e vetmja mënyrë që Kodi i Punës u lejon sektorëve të shërbimeve të rëndësisë jetike për zgjidhjen e një konflikti pune. Sipas përcaktimit të nenit 197/5 të këtij Kodi, greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet e rëndësisë jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, sigurinë Qendra për të Drejtat në Punë.
Në këtë rast, konfliktet kolektive zgjidhen në mënyrë përfundimtare dhe të detyrueshme, sipas nenit 196 të këtij Kodi, pra vetëm përmes Gjykatës së Arbitrazhit. Në zbërthim të përcaktimit të mësipërm ligjor, ndërprerja kolektive e punës nga kontrollorët e trafikut ajror është e paligjshme. Fshehja në mënyrë abuzive e këtij grupi punonjësish pas një dispozite të Kodit Ajrorii, (Ligji 96/2020 ) sipas së cilës personeli i aviacionit duhet të deklarojnë tërheqjen nga kryeja e detyrës kur nuk janë në gjendje të mirë psikologjike që i bën ata të papërshtatshëm për të kryer detyrat e tyre në mënyrën e duhur dhe të sigurt, nuk i shpëton nga përgjegjësia për organizim kolektiv dhe pjesëmarrje në një ndërprerje të paligjshme të punës. Vetë kjo dispozitë ligjore, do duhej të rishikohej dhe riformulohej në mënyrë që të ishte sa më pak evazive dhe subjektive. Nga ana tjetër, as “pretendimi” që këta punonjës nuk kanë braktisur vendin e punës, pasi janë të ulur në poltronat e tyre, duke luajtur me dispozitën e Kodit të Punës që parashikon këtë situatë, nuk i shmang nga përgjegjësia për t’u përballur me pasojat e veprimit që kanë ndërmarrë.
Braktisja e punës në mënyrë të organizuar në këtë periudhë pandemie dhe vaksinimi është abuzim me të drejtën dhe me pasoja të rënda për interesin publik. Një braktisje e tillë e punës në prag të zgjedhjeve parlamentare, me apo pa vetëdije, i jep ngjyrime politike veprimit të tyre, gjë që nuk i shërben zgjidhjes reale të pretendimeve të punonjësve në kontekstin shqiptar të marrëdhënieve të punës, ku ngjyrimet politike përgjithësisht i janë bërë pengesë dhe e kanë frenuar shpërfaqjen dhe fuqizimin e lëvizjes së vërtetë sindikaliste.
Sindikata e cila përfaqëson interesat e këtij grupi punonjësish ka përgjegjësinë morale dhe ligjore për futjen e punonjësve në rrugën jo të ligjshme të zgjidhjes së konfliktit duke vënë kësisoj në sprovë jo vetëm reputacionin, kompetencat profesionale dhe integritetin e saj si sindikatë, por duke përkeqësuar edhe më perceptimin e keqdrejtuar publik për rolin dhe rëndësinë e sindikatave në realitetin shqiptar të punës. Nga ana tjetër, mosmarrja e masave nga qeveria për zgjerimin e hapësirave për numër më të madh kontrollorësh të trafikut ajror, është një përgjegjësi e saj e drejtpërdrejtë, pavarësisht situatës së përmendur më sipër. Çfarë mbetet tashmë e rëndësishme në situatën e mbërritur, është vullneti i palëve që përveç rrugës ligjore, paralelisht të vazhdojnë bisedimet kolektive për një zgjidhje të qëndrueshme të problematikës. Ndërkohë që në terma afatgjatë, iu takon institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndërmarrin masat e duhura që këto situata të mos përsëriten në të ardhmen. Qendra për të Drejtat në Punë Centre for Labour Rights CLR
Së fundmi, dëshirojmë të bëjmë me dije se Qendra për të Drejtat në Punë është gjithmonë e hapur dhe e prirur për të kontribuar në këtë debat shoqëror dhe të tjerë të ngjashëm që i shërbejnë informimit të publikut dhe grupeve të ndryshme të punonjësve mbi ushtrimin ligjor të së drejtave të tyre në punë, përfshirë këtu edhe të drejtën e patjetërsueshme të organizimit kolektiv në punë dhe profesion. Me respekt, Qendra për të Drejtat në Punë
/mv.abcnews.al