Ambasadori i Mianmarit në Britani, i cili ka kritikuar grushtin e shtetit nga komandantët ushtarakë të vendit, thotë se kolegët e tij nuk po e lënë të futet në zyrën e tij në Londër.
Ambasadori Kyaw Zwar Minn thotë se nuk arriti të futet në ndërtesën e ambasadës të mërkurën në mbrëmje, pasi i penguan hyrjen diplomatë besnikë të juntës ushtarake. Sipas zëdhënësit të tij, Min Hein, stafi i ambasadës është kërcënuar “me ndëshkime të rënda” nëse nuk bashkëpunojnë me juntën.
Sipas zëdhënësit, junta kishte dërguar një ambasador të ri në Londër. Zëdhënësi Hein i bëri thirrje Britanisë ta kthejnë pas të dërguarin e sundimtarëve ushtarakë.
Muajin e kaluar, ambasadori Kyaw Zwar Minn bëri thirrje për lirimin e udhëheqëses Aung San Suu Kyi, e cila u ndalua nga organizatorët e puçit më 1 shkurt. Si rezultat i këtyre komenteve, komandantët ushtarakë që tani kanë marrë kontrollin e vendit, i kërkuan ambasadorit të kthehet menjëherë në atdhe.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab dënoi të enjten veprimet frikësuese të regjimit ushtarak të Mianmarit dhe vlerësoi “kurajon e ambasadorit”. Por nuk është e qartë se çfarë do të bëjë më tej Londra lidhur me këtë incident diplomatik./VOA