E acaruar nga sanksionet e Uashingtonit për shkak të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, qeveria kineze ka thirrur për sqarim ambasadorin amerikan në Pekin, duke shprehur qëndrimin se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në operacionet mes dy vendeve sovrane.
Ministria e Jashtme kineze thirri të shtunën ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Pekin për të protestuar ndaj vendimit të Uashingtonit për të sanksionuar ushtrinë kineze për blerjen e armatimeve nga Rusia. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se ka qenë zëvendës ministri i Jashtëm, Zheng Zeguang që ka thirrur diplomatin amerikan Terri Brensted për të shprehur indinjatën e qeverisë kineze ndaj sanksioneve. Më herët, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes kishte deklaruar se, blerja e avionëve luftarakë dhe sistemeve raketore nga Rusia ishte një akt bashkëpunimi mes dy vendeve sovrane dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kishin të drejtë të ndërhynin. Ditën e enjte, Departamenti amerikan i Shtetit vendosi sanksione ndaj Agjencisë kineze për zhvillimin e pajiseve ushtarake dhe drejtorit të saj, për bashkëpunim me eksportuesin më të madh rus të armatimeve. Një zyrtar i departamentit ka deklaruar të shtunën se, Kina është i vetmi vend që zotëron sistemin e avancuar S-400 të raketave tokë-ajër, duke shkelur sanksionet e vendosura ndaj aktiviteteve dashakeqe të Rusisë. Duke folur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, zyrtari, i cili ka ruajtur anonimatin, ka nënvizuar se sanksionet synojnë të dëmtojnë më shumë Moskën sesa Pekinin. Masat e Uashingtonit u vendosën në kuadër të Aktit të reagimit ndaj rivalëve të Amerikës, i kthyer në ligj në vitin 2017 për të ndëshkuar Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, agresionin në Ukrainë dhe përfshirjen në luftën në Siri. /abcnews.al