Nga Leontina Nika
Piktori Helidon Haliti pas 9 vitesh shfaqet para publikut me ekspozitën vetjake “ Jeta vazhdon” në muzeun histori kombëtar . Izolimi nga pandemia si edhe fenomeni i zgjedhjeve përmes portreteve politike janë pjesë e punimeve të tij.
Personazhe, të përhumbur në mendime, ky secili ka nga një dritare. Autoportrete, familja, miqtë, simbolika e veshit, janë piketat mbi të cilën është ndërtuar ekspozita ‘ Jeta vazhdon” e Helidon Halitit.
Dualizmi mes ëndrrës dhe realitetit, vjen si një paradë portretesh nga njëra anë dhe koncepte mes pandemisë dhe zgjedhjeve nga piktori Helidon Haliti.
“Për të gjithë duket sikur janë nga mbrapa një dritare që shpesh herë tek ne ajo, nuk ka ekzistuar po në një moment do të ekzistojë”
Që në hyrje shfaqet uni i tij, me maskë, e cila prej një viti është bërë aksesori i secilit prej nesh. Piktori thotë se projekti “ Jeta vazhdon”, ka nisur 3 vite më parë si bashkëbisedim virtual me njerëz të panjohur, por ky distancim me gjasë, i paralajmëruar prej tij u bë realitet.
“Gjitha fytyrat që pikturoj kanë qenë modele online. Kanë filluar 3-4 vjet më herët. Distancat u shkurtuan ndjeshëm ndërsa pandemia i rikrijoi distancat”
Ekspozita është e formësuar nga katër elementë thelbësorë, që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti. “Si vetë portretet , personazhet F që janë femrat me të cilat ai ka një marrëdhënie të veçantë sikundër është nëna e tij, duke pasuruar njëherazi me tonalitete të ngrohta veprat që ai krijon. Personazhe që janë miqtë dhe lojë luftërash hapësira ku shohim një përmasë tjetër të artistit, që është ajo e një “beteje” të brendshme ndjenjash, zhgënjimesh, ankthesh dhe vegimesh nga e kaluara”.
Metafora e veshit, vjen i shkrirë mes të shkuarës dhe të tashmes. Lufta me armikun imagjinarë në diktaturë, ripërsëritet me virusin, në kohën e izolimit thekson Haliti.
“Më kujtohet ai alarmi i famshëm i luftës imagjinare. Alarmi fals. Im at vishej si ushtar. Ky paralelizëm u bë gjatë pandemisë dhe vëreja gjithë ato autoblinda dhe një armik i padukshëm gjatë pandemisë”
Personazhet e historitë e Helidon Halitit nuk janë gjë tjetër, por fragmente të jetuara në një ëndërr, e cila paraqitet tek ne nëpërmjet një gjuhe të kodifikuar, të maskuar me qëllimin e vetëm për të shprehur dhe përcjellë ato ndjesi të tija që e nxisin për të zgjidhur tensionet e akumuluara gjatë përjetimit të ëndrrës, këtej dhe andej ekzistencës. Ekspozita, kuruar nga Oltsen Gripshi, do të qëndroi e hapur deri me 10 prill në Muzeun Historik Kombëtar./abcnews.al/