Arben Mevlani i identifikuar si një prej organizatorëve të grabitjes së djeshme në një argjendari në Gjirokastër, i cili ka qenë bashkëshorti i njërës pre shitëseve të këtij biznesi rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.
Policia po vijon punën për kapjen e tij të bashkëpunëtorit të tij, pasi nën kërcënimin e armëve kanë hyrë në argjendari duke marrë një sasi parash dhe sende që ishin mbi banak.
“Policia e Gjirokastrës zbardhi dhe dokumentoi në kohë rekord ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, ku dy persona kanë vjedhur në një argjendari, nën kërcënimin e armës. Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Policia e Gjirokastrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej të autorëve të dyshuar, shtetasit A. M., 40 vjeç, banues në Gjirokastër. Ky shtetas ka vuajtur më parë dënimin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.
Shtetasi A. M. dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, nën kërcënimin e armës, ka vjedhur në një argjendari në lagjen “18 Shtatori”. Strukturat hetimore të DVP Gjirokastër po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, veprime të mëtejshme”, njofton policia.