Sekreti i formës, Serie A dhe kritikat për CR7: Felipe Melo i thotë të gjitha

schedule23:14 - 1 Prill, 2021

schedule 23:14 - 1 Prill, 2021

Ish-mesfushori i Juventusit dhe Interi, Felipe Melo, po kalon një rini të dytë në vendlindjen e tij. Braziliani në sezonin e fundit arriti të fitojë tripletën me Palmeirasin, njësoj siç bëri me Interin në 2010. Në një intervistë për “Tuttomercato”, 38-vjeçari tregon sekretin e tij për formën që po kalon, komenton kampionatin italian si dhe ka disa fjalë për të gjithë kritikuesit e Cristiano Ronaldos.

 

SEKRETI MBI FORMËN E MIRË QË PO KALON – “Së pari dua të falenderoj Zotin për shëndetin e mirë që më dha sepse edhe vitin e kaluar pësova një dëmtim në kyçin e këmbës. Ishte një përiudhë e vështirë për mua, por u riktheva më shpejt falë Zotit. Sekreti qëndron duke qëndruar një profesionist si brenda ashtu edhe jashtë fushe. Punoj shumë çdo ditë në mënyrë që karriera ime të zgjatet sa më shumë”.

INTER – “Titulli për ta është shumë afër, por nuk e kanë fituar ende. Trajneri Conte po stërvit një ekip të shkëlqyeshëm, me lojtarë shumë të fortë. Jam shumë krenar për ta. Të gjithë e dinë që edhe pse kam luajtur për Juventusin, zemra ime rreh për zikaltrit. Unë jam dhe do të jem gjithmonë një tifoz i Interit”.

 

JUVENTUS – “Bardhezinjtë mbeten ndër 5-6 klubet më të mëdha në botë, së bashku me Interin e Milanin. Sigurisht që nuk mund të fitosh gjithmonë. Ata janë ende shumë të fortë, për fat të keq nuk ia dolën dot sërish në Europë, por nuk mund të themi se ata kanë mbaruar. Sezoni do ende dhe shumë për të përfunduar dhe pastaj mund të flasim”.

KRITIKAT NDAJ RONALDOS – “Si mund ta kritikoni CR7? Ai dhe Messi janë lojtarët më të mirë që kam parë të luajnë gjatë gjithë jetës sime. Ne po flasim për një kampion, një legjendë të Juventusit, por edhe të futbollin botëror. Cristiano është historia vetë. Serie A është me fat që e ka dhe të gjithë ata që e sulmojnë duhet të lajnë gojën më pas”.

 

Melo përballë Ronaldos, kur aktivizohej me Galatasarayn

RIKTHIMI NË SERIE A DHE E ARDHMJA – “Vitet në Itali kanë qenë më të rëndësishmet për mua. Nëse kthehem atje një ditë nuk e di sepse unë jam drejt fundit të karrierës. Nëse Palmeiras do të më kërkonte të largohesha dhe një ekip italian do të ishte i interesuar për mua, mbase do të shkoja. Gjithsesi, mendoj se karriera ime do të përfundojë këtu në Verdao”, përfundon Melo. /abcnews.al