Pence: Prespa i siguron Maqedonisë vendin në strukturat euroatlantike

schedule12:53 - 21 Shtator, 2018

schedule 12:53 - 21 Shtator, 2018

Gjatë takimit mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence në Uashington, ky i fundit u shpreh se marrëveshja e Prespës siguron vendin e merituar Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është takuar në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence, i cili e uroi kreun e ekzekutivit për arritjen e marrëveshjes së Prespës me Greqinë.

Pas takimit, Pence shkroi në profilin e tij në Twitter se Uashingtoni i jep mbështetje të fuqishme kësaj marrëveshjeje historike. Sipas Pence kjo e fundit do garantojë më shumë siguri në rajon.

Nga ana e tij, kryeministri Zaev në profilin e tij në Facebook u shpreh se Pence e ka lavdëruar për përgjegjësinë dhe vendosmërinë gjatë arritjes së Marrëveshjes.

Takimi u realizua me ftesë të zv/presidentit Pence dhe ndodh pas vizitave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Xhejms Matis dhe të ndihmësit të sekretarit shtetëror Ues Miçel në Maqedoni për të shprehur mbështetjen për referendumin e 30 Shtatorit për çështjen e emrit dhe për integrimin e vendit në NATO dhe në BE./abcnews.al