Kolegji e nxori jashtë listës, kandidatja e PD-së: Ndodhi çfarë ndodhi, unë do të jem aty

schedule18:34 - 29 Mars, 2021

schedule 18:34 - 29 Mars, 2021

Kandidatja e Partisë Demokratike për deputete në listën e 25 prillit në Tiranë, Mimoza Hajdarmataj që bashkë me 63 emra të tjerë u lanë jashtë garës akuzon për prapaskena në vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të “krasitur” listën e koalicionit opozitar në në zgjedhjet parlamentare.

Por, pavarësisht këtij fakti, ish-deputetja që tentoi një tjetër mandat thotë se do të vijojë që të jetë po aq e motivuar që PD-ja të fitojë zgjedhjet.

“Kolegji Zgjedhor sot, bashkë me disa të tjerë, më heq edhe mua të drejtën të garoj si kandidate për PD në zgjedhjet e 25 Prillit. E ditur pak a shumë, por një ngjarje e shtuar në realitetin dekurajues të përditshmërisë sonë…

Pikësëpari dua ti shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë mikeshave, kolegëve, farefisnisë dhe gjithë komunitetit tropojan, në Tropojën time të shtrenjtë dhe kudo në Tiranë, për përkrahjen dhe inkurajimin e pakushtëzuar, që më dhanë në nisje të kësaj sfide.

Nuk mund të mos shpreh keqardhje dhe zhgënjim që e famshmja Reformë Zgjedhor kombinuar dhe me taktika politike të interesave të caktuar, përjashton jo rrallë nga gara njerëz dhe veçanërisht gra e vajza potenciale, me kontribute dhe  aftësi të jashtëzakonshme, për ti dhënë politikave, një zë ndryshe edhe më të fuqishëm nga përvojat e deritanishme.

Megjithatë ndodhi çfarë ndodhi…

Unë personalisht do të mbetem plotësisht e angazhuar dhe e motivuar për t’i shkuar deri në fund sfidave për fitoren e  PD, si partia e bindjeve dhe vokacionit tim personal, që nuk ndryshon, qysh prej themelimit të saj!

Asgjë dhe askush nuk më demotivon e aq më tepër një pozicionim ose jo si kandidate në listë.

Miq,

Vetëm ndryshimi dhe fitorja e PD ka për të sjellë shpresë për familjet tona dhe një të ardhme europiane për Shqipërinë.

Për këtë jam e bindur prandaj do të jem aty së bashku me shumë e shumë të tjerë për ta bërë realitet” shkruan ajo në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!