“Bashkë tymosnim puro”, Bledi Çuçi për ndarjen nga jeta të Finos: Ma ule kokën nga dhimbja

schedule11:53 - 29 Mars, 2021

schedule 11:53 - 29 Mars, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino. Ai thotë se kjo është një ikje që na lë pa fjalë dhe mpin shpirtin dhe zemrën duke krijuar një boshllëk që nuk ka për t’u mbushur kurrë. Ai thotë se ka kaq shumë kujtime nga Bashkim Fino duke nisur që nga jeta në familjen e përbashkët politike e deri tek momentet kur së bashku tymosnin puro.

“E trishtë sa s’ka më kjo ditë pas lajmit të kobshëm për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bashkim Finos. Një ikje që të le pa fjalë, që ta mpinë shpirtin e zemrën dhe të krijon një boshllëk që s’ka për t’u mbushur kurrë sepse Bashkimi ishte i pazëvendësueshëm.

Partner për të bërë reformën e radhës, një këshilltar për të përballuar detin e trazuar të politikës shqiptare apo një debatues në Kuvend si ai mbase e gjen përsëri, por kurrë s’kam për të gjetur një mik si Bashkim Fino, një mik të të gjithëve dhe një personalitet që përveçse familjes do t’i mungojë po aq shumë edhe jetës publike në Shqipëri.

 Kam kaq shumë kujtime me Bashkimin, nga jeta në familjen tonë politike, debati parlamentar, realizimi i disa reformave të rëndësishme për vendin e deri tek momentet tona kur së bashku tymosnim puro.

Nuk dua të shtoj fjalë me tepri siç ndodh zakonisht në këto raste, por çfarë shkrova deri më tani ishin fjalë të ndiera dhe në respekt të kujtimit të një miku të pazëvendësueshëm. Ma ule kokën nga dhimbja Bashkim, por buzeqëshja jote do të më shoqërojë gjithmonë. Lamtumirë mik!”, shkruan Bledi Çuçi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!