Samiti i BE-së në Austri, diskutime për Brexit dhe emigracionin

schedule19:51 - 20 Shtator, 2018

schedule 19:51 - 20 Shtator, 2018

Në Austri zhvillohen punimet e samitit të Bashkimit Evropian. Vendet anëtare pritet të diskutojnë ashpër lidhur me largimin e Britanisë së Madhe dhe çështjen e emigracionit.

Në Salzburg të Austrisë zhvillohet një samit shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dëshiron respekt të dyanshëm për realizimin e largimit të Britanisë së Madhe nga Unioni dhe një atmosferë të mirë.

Ajo kërkon shumë për një temë të shoqëruar kaq me debate. Megjithëse negociatorët shprehen me diplomaci, por ka zëra se edhe mes Michel Barnier, negociator i BE dhe negociatorit britanik ka grindje. Ndërsa në Britaninë e Madhe, ministri për Brexit, Dominic Raab i sulmon ashpër pozicionet e BE. Por Merkel në samitin e BE në Salzburg kërkon të flitet për arritjet pozitive.

Në disa sektorë është e mundur një bashkëpunim i mirë.Ajo përmend temën e sigurisë, ku palët janë të një mendimi. Por atë që nuk përmend Merkel janë marrëdhëniet ekonomike. Kryeministrja britanike, Theresa May kërkon një treg të brendshëm për mallrat, të cilën BE nuk e pranon. Qeveria e saj ka bërë progres në qëndrimet e saj, tani është radha e BE-së.

“Jam optimiste, se me vullnet të mirë dhe angazhim do të mund të arrijmë të përmbyllim një marrëveshje, të mirë për të dyja palët”, tha ajo.

Më problematike paraqitet çështja e kufirit irlandez. Barnier kërkon të paraqesë propozime të reja, sipas të cilave do mund të zhvillohen kontrollet e mallrave në portet e largëta apo përmes regjistrimit teknik. Londra nuk e pranon edhe teorikisht vendosjen e një kufiri në hapësirat ujore irlandeze. Afati kohor është i qartë: Në mes të nëntorit duhet të zhvillohet samiti përfundimtar për Brexit. Qeveria britanike ka edhe 6 javë kohë për të sqaruar qëndrimet e saj.

Ndërkohë kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk përpiqet të bindë krerët e BE-së për çështjen e migracionit. Në këtë vit nuk kanë ardhur as 100.000 migrantë në BE.

“Kjo është më pak se para krizës së refugjatëve. Prandaj vendet anëtare duhet të përqëndrohen tek zgjidhja e problemeve aktuale me migrantët. Nuk duhet të ndahemi në ata që duan një zgjidhje dhe ata që e përdorin situatën për lojëra politike”, u shpreh Tusk.

Për të ndalur migrimin nga Deti Mesdhe dhe punën e bandave të trafikantëve, kancelari austriak, Sebastian Kurz kërkon forcimin e Agjencisë së BE për Mbrojtjen e Kufijve Frontex./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!