Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino i cili humbi betejën me COVID. Ai thotë se Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë që shërbeu si politikan, deputet dhe kryetar bashkie. Ai vlerëson rolin e Finos në vitin 199, duke theksuar se i doli për zot adheut si kryeministër në një kohë rëndë për vendin.
“Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvëndësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit.
Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë. Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”, shkruan Gramoz Ruçi.
Për ndarjen nga jeta të Finos ka reaguar dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ai thotë se familja e madhe e socialistëve humbi sot vëllain, kontribuues dhe deputetin sa të veçantë aq edhe të dashur.
“Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, kolegu e miku ynë i mirë Bashkim Fino u nda sot nga ne. Familja jonë e madhe socialiste humbi vëllain, kontribuesin, deputetin tonë, sa të veçantë aq edhe shumë të dashur Na preve krahët o Bashkimi ynë i dashur! U prehsh në paqe! I paharruar do jesh gjithmonë”, shkruan Balla./mv.abcnews.al