Bashkim Fino nuk është më. Deputeti socialist humbi betejën me koronavirusin, pasi prej ditësh ishte i shtruar në spital dhe nuk mundi t’ja dalë.
Bashkim Fino është një ndër figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90.
Bashkim Fino ka qenë kryetar bashkie i Gjirokastrës në vitet ‘92-96. Në vitin 1997 atij iu besua posti i rëndësishëm si kryeministri i “Pajtimit Kombëtar” pas ngjarjeve tragjke të pranverës së atij viti.
Fino ishte u vetmi që u pranua nga Sali Berisha si kryeministër i një qeverie të përbashkët, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2003 për gazetën Panorama, Fino ka rrëfyer sesi e njoftuan që do të ishte kryeministri i vendit, ndërkohë që nuk e kishte menduar kurrë këtë post.
Lexo edhe: Nga Mimi Kodheli, Majko e Gjiknuri, socialistët të tronditur për ndarjen nga jeta të Bashkim Finos
“Në një situatë të tillë, totalisht absurde, ndodhi kjo gjë. Atë natë po luaja tavëll me mikun tim të vjetër, Hito Hitën. Vajtëm në shtëpi sepse ishte më qetë, lokalet nuk ishin të sigurtë. Njerëzit vriteshin kot, rrinin me pistoletë në xhep si në filmat west. Bie telefoni. Del Namik Dokle i pari. Më thotë: Bashkim do të them një gjë, ti do të thuash se këtij i ka ikur mendja, por po të ishte për veten time do të pranoja. Sikur unë të të propozoj për kryeministër, ti çfarë do të thuash? Unë i thashë- mos bëj shaka në telefon, kjo nuk është për të diskutuar, por më thuaj ndonjë gjë të veçantë që ne nuk e shohim në televizor. E ai më thotë se:“Kemi biseduar me Berishën, kemi pranuar që të bjerë qeveria Meksi, kemi arritur në konkluzion, po ndajmë vendet e kabinetit, por ne i kemi vënë kusht Berishës për emrin e kryeministrit. I thamë të vinte Fatos Nanon, i thamë për mua e të tjerë, por ai ka vënë kushtin që kryeministri të mos jetë anëtar i kryesisë së PS-së. Ndërsa për ty ai është dakord”.
Nga fundi i bisedës kuptova se Namiku fliste seriozisht sepse në fillim kisha dyshim. Nëna ime dhe gruaja po dëgjonin. E unë them se: Namik nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë e të them që nuk vij, por është absurde sepse ka shokë më me shumë reputacion, nuk ka pse të vini deri tek unë.
Në në një moment të vetëm mendova se çfarë do të bëja, si do të sillesha, duke njohur kush ishte Berisha. Ishin shumë enigma që duheshin zgjidhur sepse unë vija nga Gjirokastra dhe nuk dija çfarë bëhej.
…Namiku më tha nuk do të jesh vetëm do të kesh shokët e partisë, por deri në orën 5.00 duhet kthyer përgjigje sepse pas kësaj ore i humb PS-së ky post. Fola me gjithë shokët e kryesisë në telefon, i fundit ishte Rexhep Meidani. Mbaj mend që ishte i ngjirur: ”Bashkim dua mendimin tënd, jam i lodhur nga gjithë këto takime”-më tha. Dakord- i thashë unë,”, ka rrëfyer Fino.
Bashkim Fino ka qenë një ndër figurat më aktive të Partisë Socialiste, ndërsa ka mbajtur edhe poste ministrore. g.v/abcnews.al