VIDEO/ Shqipëria nis mbarë eliminatoret, ndaj Andorrës mjafton supergoli i Lenjanit

schedule22:38 - 25 Mars, 2021

schedule 22:38 - 25 Mars, 2021

Shqipëria e ka nisur mbarë fushatën eliminatore të Kupës së Botës së vitit të ardhshëm në Katar. Kuqezinjtë kanë mundur minimalisht 0-1 Andorrën, falë një goli të bukur të Lenjanit në minutën e 41-të, pas një pasimi perfekt të Bares nga mesfusha.

Pjesën e parë skuadra e Edy Rejës e nisi jo shumë e qartë, me topa të gjatë dhe pa ritmin e duhur. Kuqezinjtë zgjodhën të luajnë më shumë në krahë me Hysajn dhe Lenjanin, por pasimet dhe idetë e tyre lexoheshin qartë nga vendasit dhe u ndalën lehtë.

Pritja e parë e portierit të Andorrës erdhi në minutën e 26-të kur Manaj provoi me një goditje dënimi në hyrje të zonës, por pa suksesin e dëshiruar. Më pas rrezikuam me një goditje me kokë të Gjimshitit pas një goditje këndi në minutën e 36-të.

Teksa përpiqeshim më shumë në krahë, goli erdhi nga një vertikalizim në qendër i Bares, që çan linjat e Andorrës dhe arrin Lenjani. Mesfushori u koordinua në mënyrë perfekte dhe lëshoi një goditje të pandalshme, duke mposhtur portierin Gomes në minutën e 41-të dhe mbyllur të parën në avantazh.

Megjithëse rezultati na jepte qetësi dhe kishim luksin të luanim pa frikë, Shqipëria e nis të dytën pa shumë ide, duke mos shkuar rrjedhshëm në portën kundërshtare dhe pa krijuar raste flagrante në kuadratin e Andorrës, e cila mbyllet pas dhe i jep luksin Berishës të shijojë ndeshjen si “tifoz”.

Reja pas minutës së 75-të aktivizon “artileri të rëndë”, duke futur Brojën dhe Uzunin, që i japin më shumë ritëm lojës, teksa Broja në fund krijon një shans i vetëm, por ndalet mirë nga portieri kundërshtar. Në minutat e fundit kuqezinjtë dolën në lojën e tyre, por nuk kishte më kohë.

Kështu, gola nuk ka në asnjërën portë dhe Shqipëria merr tre pikë të rëndiëshme, duke hapur mbarë këtë fushatë. Kuqezinjtë kthehen në atdhe tashmë, për të përgatitur ndeshjen me Anglinë në “Air Albania” pas tre ditësh. /abcnews.al

FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA (3-5-2):
Berisha; Gjimshiti, Ismajli, Kumbulla; Lenjani (Roshi), Gjasula, Bare, Memushaj (Laçi), Hysaj; Manaj (Uzuni), Cikalleshi (Broja). Trajner Edy Reja.
ANDORRA (4-4-2): Gomes; Rubio (Jimenez), Llovera, Vales, San Nicolas; Martinez (Sanchez), Rebes, Vieira (Pujol), Cervos; Alaez, Fernandez (Martinez). Trajner: Koldo Alvarez.

41′ Shqipëria në avantazh. Sulm i kuqezinjve nga krahu i majtë, asist i Keidi Bares dhe finalizim shumë i bukur i Ermir Lenjanit.

27’ Rasti i parë i rrezikshëm vjen nga Manaj, që godet fort një goditje dënimi në hyrje të zonës, por në krahun e portierit.